Hamza mbetet i vetëm, Ministrat tjerë si Haradinaj, i gëzohen dyfishimit të pagës

Hamza mbetet i vetëm, Ministrat tjerë si Haradinaj, i gëzohen dyfishimit të pagës

Njëri prej vendimeve më të përfolura të kryeministrit, Ramush Haradinaj, ai i rritjes së pagave, u siguron ministrave të ardhura mujore prej 2 mijë eurosh, në situatën kur paga mesatare në Kosovë është 275 euro. Dyfishimi i pagës po cilësohet si arritje nga Ramush Haradinaj, ndërsa ka premtuar se rritje të pagave do të kenë mjekët dhe arsimtarët pasi të miratohet Ligji për Nivelizimin e Pagave.

Deri më tani askush nga zyrtarët e qeverisë nuk është rreshtu përkrah vendimit të Ministrit të Financave, Bedri Hamzës për refuzimin e pagës me rritje. Ministrat e qeverisë aktuale e kanë mirëpritur vendimin e Ramush Haradinajt për dyfishimin e pagës, pavarësisht buxhetit të shtetit.

Të pyetur nga Gazeta Express nëse do ta refuzojnë pagën me rritje ashtu siç bëri Bedri Hamza, ata zgjodhën të mos përgjigjen.

Megjithatë, dikush tha se e respekton vendimin e kryeministrit Haradinaj për rritje të pagës.

“Do ta respektoj vendimin e Qeverisë për rritje të pagës”, tha shkurtë, Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, të dielën, për Gazetën Express.

Në emër të ministres së Ambientit, Albena Reshitaj, foli shkurtë një nga këshilltaret e saj duke thënë se Reshitaj është në udhëtim zyrtar në Vjenë dhe porsa të kthehet do të jap përgjigjje.

“Ministrja është në Vjenë, kur te kthehet jep përgjigje”, tha këshilltarja.

Shumë nga ministrat që udhëheqin dikastere të ndryshme në Qeverinë Haradinaj, nuk iu përgjigjën thirrjeve gjatë ditës së diel. Megjithatë shumë nga kolegët e tyre refuzuan të japin një përgjigjje nëse do të dalin kundër këtij vendimi. Duket se dyfishimin e pagës do ta pranojnë në heshtje.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha të shtunën se do të flasë më vone lidhur me këtë çështje. As Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha nuk ka kthyer ndonjë përgjigje nëse do ta refuzojë pagën. Njejtë edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili nuk ka dhënë përgjigje të prerë. Ai tha të shtunën se ditëve në vijim do të prononcohet lidhur me rritjen e pagës.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro. Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të paguhen në vlerë të 1,150 eurove në muaj.

Gjatë ditës së djeshme, kur Ramush Haradinaj pa kundërkandidat u zgjodh edhe për një mandat kryetar i AAK-së, vendimin për dyfishimin e pagës e cilësoi si arritje dhe premtoi se rritje do të ketë edhe për mjekët dhe arsimtarët.

“Pagat në sektorin publik janë rritur. Jemi në proces me Ligjin për nivelizimin. Do të ketë rritje edhe për mjekët dhe arsimtarët. Gjyqtarët dhe Prokurorët kanë pasur rritje me rritjen e fundit”, ka thënë Kryeministri.

Me këtë rast, Haradinaj ka konfirmuar se pagat e zyrtarëve të Qeverisë, Prokurorisë dhe Gjykatave do të merren me rritje, ashtu siç kishte vendosur para gjashtë muajsh./Gazeta Express/