Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale.
Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.
Koha në të cilën po veprojmë, është kohë e sfidave të mëdha dhe kërkon vullnet, përkushtim e guxim për punë. Jam tejet i lumtur që Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjëve, ta gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet. Kjo garë, rezultatin e parë do ta jap në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të brendshme në Parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme.
Duke iu uruar sukses mijëra antarëve të Aleancës që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës sonë të përbashkët.
Aleanca ishte dhe do të mbetet parti e vlerave demokratike, në shërbim të Atdheut e të qytetarit.
RH