Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, nëpërmjet një statusi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ka shprehur shqetësimin se qeveria aktuale po i rrezikon raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Kosova Post.
“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë!” – ka shkruar Haradinaj, duke shtuar më tej se ky qëndrim, duhet të përgënjeshtrohet.
“Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën” – ka vënë në dukje ai. Por sipas tij, raportet me amerikanët nuk mund t’i prish askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër.
Ditë më parë, në një debat parlamentar, Kryeministri Albin Kurti e këshilloi opozitën që të mos i përdornin si argument raportet me Amerikën, përkatësisht prishjen e tyre, meqë sipas tij, ai argument më “nuk pi ujë”. Megjithatë, opozita, e veçmas Haradinaj, nuk ka hezituar ta kritikojë Kurtin për qasje jo të mirë në raport me partnerët strategjik./KosovaPost/