Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente e Kosovës. Thotë se Osmani u bë e para e vendit me vota të kondrabanduara. Por thekson se partia e tij “qëndron faqebardhë në ruajtjen e sistemit kushtetues së demokracisë republikane”, shkruan Kosova Post.
Përmes një shkrimi në Facebook i pari i AAK-së thekson se nga sonte në vend duhet filluar lufta për demokraci.
“Lufta për demokraci fillon sonte. Ftoj politikanët dhe qytetarët e vullnetit të mirë të mbrojmë së bashku vlerat e Kushtetutës dhe shtetit të lindur nga gjaku i lirisë!”, shkroi Haradinaj.
Postimi i plotë:
Sot pas zgjedhjes së znj. Osmani-Sadriu për Presidente të Kosovës, Aleanca qëndron faqebardhë në ruajtjen e sistemit kushtetues së demokracisë republikane.
Votat e kontrabanduara në këtë proces tregojnë se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë. Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lirë.
Urime deputetëve që morën pjesë duke i përfshirë edhe ata të pazarit të natës që lan parimet për përfitime të atypëratyshme.
Lufta për demokraci fillon sonte. Ftoj politikanët dhe qytetarët e vullnetit të mirë të mbrojmë së bashku vlerat e Kushtetutës dhe shtetit të lindur nga gjaku i lirisë!
RH