Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dje publikoi një tabelë apo grafikon, nëpërmjet të cilës tregonte llogaritjen e pagesës së faturës të rrymës me rritje të çmimit të energjisë, gjë e cila nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu si dhe disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u demantua menjëherë, duke shtuar se deputeti Haradinaj po gënjente, shkruan KosovaPost.
Përsëri, sot Haradinaj ka publikuar një tabelë me çmimet e shtrenjtuara të rrymës dhe subvencionin e qeverisë që bëhet për fatura që janë taksa të qytetarëve.
Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar se kryeministri Kurti nuk po e paguan diferencën me paratë e tij, por me paratë e qytetarëve.
“Nuk iu desh shumë që fshehja e llogaritjes së subvencionit të dilte në pah. Rritja e çmimit real të energjisë elektrike u fsheh në llogaritarin e ZRRE-së, por që nuk zgjati shumë. Duhet ta kenë të qartë qytetarët se do të paguajnë edhe faturën që iu vjen në derë, por do të paguajnë edhe subvencionin e Qeverisë, pasi paguhet nga taksat tona. Albin Kurti nuk po e paguan diferencën me paratë e veta, por me paratë e qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje, Haradinaj ka thënë se subvencionimi do të hiqet në dhjetor 2022, ndërkaq tarifat do të mbesin në fuqi, ku ka shkruar se qytetarët duhet të tregojnë se nuk mashtrohen.
“Mos harroni se ky subvencionim do të hiqet në Dhjetor 2022, e tarifat do të mbeten edhe më tej. Qytetarë, është koha që të tregojmë se nuk mashtrohemi. Çdo tentim për të na mashtruar është djallëzor, është i ulët! Në këtë tabelë mund të shihni çmimet që do ju vijnë në faturë, por edhe çmimin real, ku diferenca paguhet nga ju, konkretisht nga taksat tuaja”, shkroi Haradinaj.
Tabela nga Haradinaj: