Ish-kryeminsitri i Kosvës, përkatësisht kreu aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është adresuar Qeverisë Kurti me një apel, transmeton Kosova Post.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta heqin masën e ndalim-qarkullimit në kohën kur në prag të festave të fundvitit mërgimtarët pritet të vijnë në Kosovë.
“Ne duhet t’i mirëpresim motrat e vëllezërit tanë, e jo t’i kufizojmë me masa që ekspertët po i konsiderojnë jo shkencore dhe jo të nevojshme për menaxhimin e pandemisë”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Të dashur motra e vëllezër që jetoni jashtë vendit,
Rrugët tuaja drejt vendlindjes nuk u ndalën asnjëherë, as dikur në rrethana okupimi e as sot në liri. Ju i jepni kuptim festave të fundvitit, të cilat do të ishin të zbehta pa ju dhe kjo jo vetëm për faktin që familjet çmallen me ju, por edhe gjallërimi që i bëni ekonomisë së shtetit tonë të përbashkët, vendlindjes tuaj.
U bë më shumë se një vit që edhe Kosova po përballet me pandeminë, ashtu sikur vendet ku jetoni e punoni ju. Fatmirësisht, në këtë fazë ne kemi shumë më pak të infektuar.
Sot i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, që të heqin masën e ndalim qarkullimit, për të mundësuar kështu, udhëtim të lirë e të papengesa për diasporën tonë. Ne duhet t’i mirëpresim motrat e vëllezërit tanë, e jo t’i kufizojmë me masa që ekspertët po i konsiderojnë jo shkencore dhe jo të nevojshme për menaxhimin e pandemisë.
Të dashur bashkatdhetarë. Mirë se vini në shtëpinë tuaj!