Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se 22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova për herë të parë u bë me Muze të Dëshmorëve, ku do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Kosova Post.
Haskuka përmes një njoftimi në Facebook ka shkruar se Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.
“Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera” ka shkruar Haskuka.
Postimi i plotë:
22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova për herë të parë u bë me Muze të Dëshmorëve, ku do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Pastaj, bashkë drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetët e Kuvendit të Kosovës, familjet e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta dhe drejtorët komunalë e përuruam Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë.
Vizitorët e këtij muzeu, nga sot, do të mund t’i shohin të grumbulluara në një vend dokumentet që e dëshmojnë gjenocidin e kriminelëve serbë në Kosovë, ku aktualisht janë duke u ekspozuar mbi 215 biografi individuale të dëshmorëve të rënë, hartat rajonale të operacioneve të UÇK-së, si dhe po ashtu filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve.
Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera.
Serbia, gënjeshtrat e saja për Kosovën i përsëritë çdo ditë, ndërkaq Kosova, të vërtetat e saja për Serbinë, nuk po i përsëritë pothuajse fare. Në këtë drejtim, uroj që kjo muze përveçse të shërbejë për dokumentimin e krimeve të serbe, po ashtu le t’i shërbejë gjeneratave të reja për t’u njohur me historinë e lavdishme të UÇK-së dhe popullit shqiptar.
Mytaher Haskuka