Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur në Kuvendin e Kosovës për vaksinat që janë pranuar si donacion nga shteti i Norvegjisë për Kosovën.
Ai ka thënë se pranimi i këtyre donacioneve është në kundërshtim me Ligjin për furnizimin me pajisjet medicionale, duke thënë se afati i skadimit të tyre është më së shumti 6 muaj.
“Në fund të këtij procesi të vaksinimit, Kosovës do t’i duhet të asgjësojë vaksinat që janë larguat nga shteti i Norvegjisë, ndërsa janë pranuar nga ministri Arben Vitia”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka ftuar qytetarët që të kontrollojnë afatin e vaksinave para se të pranojnë që të vaksinohen.
“I ftoj qytetarët që para vaksinimit të sigurohen për datën e skadencës së vaksinave”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk duhet të rrezikojë më shumë shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Kujtojmë se pasi që MSH-ja kishte pranuar donacionin me vaksina anti-COVID19 nga Norvegjia, Haxhiu kishte reaguar duke thënë se këto vaksina kanë shumë pak kohë afat.
Ndaj deklaratave të Haxhiut, kishte reaguar Ministria e Shëndetësisë e cila kishte siguruar qytetarët se të gjitha vaksinat që janë në përdorim janë të sigurta dhe me afat të mjaftueshëm.l.n.