Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konfirmuar që do të udhëtojë në fund të këtij muaji drejt Hagës për ta takuar të gjithë ata që janë duke u gjykuar nga Dhomat e Specializuara.
“Në fund të këtij muaji unë bashkë me Komisionin për Legjislacion, në fakt kryetarin dhe një anëtar të këtij komisioni, si dhe bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kemi planifikuar që ta kemi një vizitë në Hagë”.
Tutje ka shtuar Haxhiu se është e vërtetë që disa prej ish-krerëve të UÇK-së nuk kanë pranuar të takohen me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, kur ai ka qenë në vizitë vitin e kaluar.
Për më tepër Haxhiu , ka theksuar se edhe tash do të bëjë kërkesë që të takohet me të gjithë ata që po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë dhe mbetet në vullnetin e tyre nëse duan ta kenë një takim me të ose jo.
Ndërkohë që është shprehur se pavarësisht dallimeve politike që kemi si subjekte politike, sa i përket luftës së UÇK-së, kemi qëndrime të përbashkëta dhe unik.
“Ne do të shkojmë në Hagë dhe do të vizitojmë të gjithë ata të cilët pranojnë”