Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, ka folur rreth formimit të institucioneve të reja dhe presidentit, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ajo në Kanal 10 ka thënë se pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, do të thirret seanca konstituive dhe në ditën e njëjtë do të zgjidhet edhe qeveria e re.
“Nuk ka hapësirë për dyshime për manipulime. KQZ duhet të presë Supremen për certifikimin e zgjedhjeve dhe më pas Vjosa Osmani ka hapësirë 30 ditë për thirrjen e seancës konstitutive. Besoj se ajo nuk ka interes ta zgjasë dhe pastaj së shpejti në momentin e certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, do të thirret seanca konstituive dhe në ditën e njëjtë do të zgjidhet edhe qeveria e re”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu, e cila nuk u lejua të kandidojë për deputete për shkak të veprës penale të kryer brenda tri vjetëve të fundit, nuk ka konfirmuar nëse do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti 2 dhe se sipas saj për këtë do të vendosë kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Emri im është përfolur brenda LVV (për ministre të Drejtësisë), por ende nuk ka vendim se kush ku do të jetë. Edhe unë do të jem aty ku kryeministri Kurti e sheh të rëndësishme”, tha Haxhiu.