Me qëllim të avancimit të infrastrukturës ligjore për fuqizimin e ndërmjetësimit, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu sot ka nënshkruar udhëzimin administrativ për tarifën e ndërmjetësuesve dhe atë për përcaktimin e procedurës së ndërmjetësimit të vetinicimit të rasteve dhe rasteve të referuara nga organi administrativ, përcjell KosovaPost.
Në një postim në Facebook, ministrja Haxhiu shkruan se avancimi i ndërmjetësimit do të ndikojë në të mirë të realizimit të të drejtave të qytetarëve dhe shpreson se këto ndryshime do të shërbejnë edhe për fuqizimin e kapaciteteve profesionale të ndërmjetësimit në Kosovë.
“Ndryshimet e tilla ligjore presim të shërbejnë edhe si model për ngritjen e vetëdijes për sa i përket rëndësisë dhe efikasitetit të ndërmjetësimit si procedurë alternative për zgjidhjen alternative të kontesteve”, shkruan Haxhiu.
Ajo ka falënderuar Programin e Drejtësisë Komerciale të USAID-it për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin dhe promovimin e Ndërmjetësimit në Kosovë.
“Jemi pothuajse në përfundim të përcaktimit të tarifave për përmbaruesit privat dhe noterët”, shprehet Haxhiu.
Postimi i plotë:
Përkushtimi i yni në këtë mandat qeverisës është edhe mbikqyrja dhe fuqizimi i profesioneve të lira.
Me qëllim të avansimit të infrastrukturës ligjore për fuqizimin e ndërmjetësimit dhe garantimin e qëndrueshmërisë së tij, sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Tarifën e Ndërmjetësuesve në Republikën e Kosovës dhe Udhëzimin administrativ për Përcaktimin e Procedurës së Ndërmjetësimit të Vetinicimit të Rasteve dhe Rasteve të Referuara nga Organi Administrativ.
Avancimi i ndërmjetësimit do të ndikojë në të mirë të realizimit të të drejtave të menjëhershme të qytetarëve duke shmangur pritjet e gjata, shto këtu faktin se dinamika e zhvillimeve shoqërore ekonomike ka rritur edhe nivelin e mosmarrëveshjeve, dhe shpresojmë se këto ndryshime do të shërbejnë edhe për fuqizimin e kapaciteteve profesionale të ndërmjetësimit në Republikën e Kosovës.
Ndryshimet e tilla ligjore presim të shërbejnë edhe si model për ngritjen e vetëdijes për sa i përket rëndësisë dhe efikasitetit të ndërmjetësimit si procedurë alternative për zgjidhjen alternative të kontesteve.
Në këtë drejtim falenderojmë Programin e Drejtësisë Komerciale të USAID-it për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin dhe promovimin e Ndërmjetësimit në Kosovë.
Jemi pothuajse në përfundim të përcaktimit të tarifave për përmbaruesit privat dhe noterët!