Hebrenjtë në Kur’an dhe mësimet që mund t’i nxjerrim nga aty!

Hebrenjtë në Kur’an dhe mësimet që mund t’i nxjerrim nga aty!

(PJESA E TRETË)

 Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Në pjesën e parë të këtij shkrimi patëm thënë se Kur’ani e sheh historinë si diçka më shumë se një shkencë e cila flet vetëm për data, popuj e personalitete të së shkuarës. Kishin thënë gjithashtu se ajo duhet të jetë një gjurmuese më e thellë se kaç. Historia është mësimi që duhet marrë nga e kaluara, që përdoret si brumë sot për të sendërtuar të nesërmen. Historia nuk bënë dhe nuk duhet të mbetet fushë studimore e vetëm historianëve. Ngjarjeve; shkaqeve dhe motiveve të tyre duhet t’i qasen sociologët, psikologët dhe njerëzit e fesë, sepse, historia duhet të merret edhe me hulumtimin e mesazhit që del nga ngjarjet e së kaluarës. Mendimi islam mbi historinë konsiston në lirimin e saj prej teprimit të panevojshëm me emra e data të shumtë. Nisur nga këtu, Kur’anit nuk i intereson shumë aspekti historik i asaj që ka ndodhur. Nuk e sheh aq të rëndësishme nëse ato ngjarje ishin të vërteta, legjenda apo mite. Aspekti pedagogjik i ndodhive historike është relevant për Kur’anin, jo ngjarja si ngjarje. Prandaj, meqë Kur’ani mendon se historia fillon me njeriun, e meqë njeriu vazhdon të jetë edhe nesër, e nesërmja është qenësorja, jo e kaluara.

Kështu, teksa flet Kur’ani për historinë e hebrenjve, për kalimin e tyre nëpër Detin e Kuq, për retë si mburoja, e sidomos kur flet për Musain a.s., për peripecitë e tij, strategjinë dhe metodat që i përdor për t’i zgjuar nga gjumi bashkëkombësit e vetë, ai, neve sikur na jep sinjale të nxjerrim mesazhet e nevojshme si mësime për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Tek e fundit, çka do t’i nevojitej njeriut legjenda mbi shkopin e Musait, po mos të ishte mesazhi i fshehur në te se çka është mrekullia (mu’xhize), kjo vepër e mbinatyrshme që e përdorën profetët e kaluar për të argumentuar ekzistencën dhe fuqinë e Zotit? Çka tjetër do të mësojmë nga kalimi spektakolar mbi Detin e Kuq, përveç fenomenit të baticës dhe zbaticës që ndodh në detyrat e hapur? Apo, përse në Kur’an e gjithë kjo hapësirë mbi hebrenjtë me shumë profetë, të cilëve kaq shumë u kishte folur Zoti dhe kaq shumë e kishin zemëruar Atë?

Prandaj, kur po flasim për rolin dhe detyrën e historisë, e cila duhet të na informojë edhe për ligjet e jetës shoqërore, për sinjalet si të sillemi sot dhe si të përgatitemi për nesër, ne po synojmë të shpalosim mesazhin e Kur’anit që i dha njeriut, qenies e cila u emërua për zëvendës i Zotit në tokë dhe u bë trashëgimtari i saj dhe i tërë natyrës. E gjithë kjo na bënë të kuptojmë faktin se kjo pozitë e njeriut nuk nënkupton që ai të bëhet arrogant e ta shoh vetveten si “ortak i Zotit”. Natyrshmëri e njeriut të Kur’anit është se që ai nuk guxon të tejkalojë kufijtë e njerëzishmërisë së tij.

Historia si mësuese e njerëzimit, si formë edukative ashtu siç e promovon mësimi kur’anor, me që pranon faktin se njeriut i është besuar administrimi i Mbretërisë së natyrës, e cila është pronë e Zotit por e lënë nën menaxhimin e tij, neve na thotë se ai e ka për detyrë të kujdeset për natyrën dhe në mënyrë të lejuar të përftoj nga ajo.

Duke i përmendur këto lexime kësisoj të historisë, nuk është për tu çuditur, ndonëse është për të ardhur keq fakti që myslimanët jo gjithherë e kuptuan domethënien e vërtetë të mesazhit të historisë që e jep Kur’ani. Është bërë gabim kur problemet që e preokupojnë shoqërinë myslimane janë kuptuar vetëm në dritën e përplasjeve historike që kanë gjeneruar kulturat dhe qytetërimet tjera kundër Islamit. Problemet kryesore që e preokupojnë shoqërinë myslimane, vijnë nga leximi i shtrembër dhe i cekët i historisë, posaçërisht nga interpretimi i shtrembër i saj.

******

Gjithsesi, në lidhje me historinë e hebrenjve, Kur’ani thotë:

“O bijtë e Israilit! Përkujtojeni dhuntinë Time, të cilën ua dhurova, dhe Unë ju pata ngritur mbi gjithë të tjerët.” “Dhe ruajuni ditës kur askush askujt nuk do të mund t’i bëjë asgjë, kur nuk pranohet për te (jobesimtarin) ndonjë ndërmjetësim dhe nuk pranohet për te kompensim e as që do të ndihmohen ata” . (el-Bekare, 47-48)

Duke lexuar me vëmendje faqet e para të kaptinës el-Bekare, që janë ndër faqet e para të Kur’anit, vërejmë dy momente të rëndësishme historike të hebrenjve të cilat i përmend Kur’ani me theks të posaçëm. Është periudha kur ata jetuan në Egjipt, dhe e dyta, kur kaluan Detin e Kuq dhe u vendosën në Gadishullin e Sinait. Që të dyja këto ngjarje janë pasojë e së kaluarës dhe themel i së ardhmes së tyre.

Mënyra se si  e shpjegon Kur’ani historinë e hebrenjve është e veçantë; gjuha e butë që e përdorë me ta është metodë unifikuese dhe shumë e rëndësishme e komunikimit me njerëz. Mirësjellja dhe stili i këtij komunikimi, veçanërisht kur atyre ua përmend mirësitë që u kishte dhënë Zoti, janë përpjekje të Kur’anit për të vënë në praktikë një bashkëveprim dhe bashkëpunim të ngushtë mes myslimanëve të parë dhe hebrenjve të atëhershëm.  Kur’ani u thotë se ata ishin dalluar nga popujt tjerë, dhe, pikërisht për shkak se ishin të tillë, ata duhej të kishin kujdes ndaj fjalës së Zotit më shumë se të tjerët. Nga ana tjetër, historikisht dihet se hebrenjtë kanë pasur një të kaluar të dhimbshme dhe traumatike. Me gjithë gabimet e mëkatet që i bënë, Zoti u ndihmoi t’i shpëtojnë jetës së rëndë që e përjetonin në Egjipt. Ishte kjo kohë kur ata i ishin nënshtruar asimilimit të dhimbshëm. Të gjitha këto ua përmend Kur’ani me qëllim që ata t’i hapnin sytë dhe t’i ishin mirënjohës Zotit, që të mësonin nga historia e tyre e kaluar. Përndryshe, nëse edhe kësaj here nuk janë falënderues, atëherë, thotë Kur’ani, e ardhmja do të jetë tragjike. Paralajmërimi i fundit për ta ishte Dita e Gjykimit, dita kur të dalin para Zotit e më nuk do ketë kush tu ndihmojë. Atë ditë nuk ka ndërmjetës e as pasuritë që kishin nuk do t’ju hynë në punë. Atë ditë Zoti do t’i shpërfaqë veprat e secilit dhe vetëm sipas atyre veprave do të caktohen shpërblimet dhe dënimet në botën tjetër. Shpëtimin e hebrenjve nga dhuna e Faraonit e sidomos kalimin e tyre nëpër Detin e Kuq, Kur’ani i përmend si dhuratë dhe mirësi e Zotit ndaj tyre.

Thotë Kur’ani: “Përkujtojeni edhe kur u shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat dënimin më të hidhur, duke ua therur bijtë tuaj, e duke ua lënë gjallë gratë tuaja. Në këtë torturë ju përjetuat një sprovim të madh nga Zoti juaj”. “Dhe kur për ju e ndamë detin, e ju shpëtuam, ndërsa njerëzit e faraonit i fundosëm, e ju i shihnit (me sytë tuaj)”. (el-Bekare, 49 – 50).

Pas vdekjes së Sylejmanit a.s. do të bie shteti izraelit. Mbi gërmadhat e tij krijohen dy mbretëri të reja; mbretëria hebrone dhe ajo judaike. Nuk shkon gjatë edhe këto dy mbretëri do t’i pushtojnë asirianët dhe kaldejët. Pas shkatërrimit përfundimtarë të shtetit që e kishin dikur, izraelitët detyrohen t’i lëshojnë tokat e tyre dhe të shpërngulen në Egjipt. Kësaj here, shpërngulja ishte shumë e dhimbshme, sepse, ata detyrohet të shkojnë tek Faraoni si robër, jo të lirë. Izraelitët të cilët dikur e kishin shtetin, kishin fuqi, emër e prestigj që u lakomin popujt përreth, tani bien në pozita robërish dhe vetëm si robër pranohen të kalojnë në tokën e faraonëve. Flitet se Jusufi a.s. ishte prej të parëve izraelitë që kishte shkruar atje.

Hebrenjtë në Egjipt do të jetojnë rreth 400 vjet. Edhe pse nën kushte të rënda jete, edhe pse i ishin nënshtruar asimilimit të dhimbshëm, për shkak se Faraoni kishte ndaluar vrasjen e tyre, numri i hebrenjve arrin në 600 mijë. Edhe Bibla flet për peripecitë e hebrenjve në Egjipt. Për fatin e tyre të keq, një pjesë e madhe e hebrenjve ishin pajtuar me pozitën e robit. Ata i ishin bërë imunë skllavërisë, nuk rezistonin e as tregonin gatishmëri për të luftuar për liri. Si vasalë dhe të ndrydhur në personalitet, me vullnet pranuan të qëndronin në Egjipt, edhe nëse si robër. Mirëpo, kishte edhe prej atyre që u pengonte pozita e skllavit, por, ishin pak, të pafuqishëm dhe nuk mund të ndikonin në popull. Revolucionarët nuk përfilleshin, anashkaloheshin, anatemoheshin dhe kundërshtoheshin ashpër nga masat. Shumica e tyre mjaftohej të kishin çka të hanë e çka të pinë. Nuk u interesonte dinjiteti që e kishin humbur dhe as u preokuponte robëria.

Lideri revolucionar që i nxiste hebrenjtë për revoltë ishte profeti i Zotit, Musa a.s. I pakënaqur me gjendjen, i prekur në sedër nga pozita ku kishin rënë dhe i nxitur nga patriotizmi, ky profet i Allahut u bënte thirrje të lëshojnë Egjiptin. Njerëzve  u thoshte se populli i cili nuk bënë përpjekje për të ndryshuar gjendjen e vetë, që pajtohet me robërimin dhe me nënshtrimin ndaj të huajve,  shuhet pa nam e pa nishan. Vazhdimisht u fliste për idealet e larta, për vetëmohim dhe për besimin në Zotin.

Kështu, pas përpjekjeve të gjata dhe tepër të mundshme, Musai a.s. arriti t’i bindë hebrenjtë të lëshojnë Egjiptin dhe të lëvizin në drejtim të Gadishullit të Sinait. Nëpërmes Detit të Kuq kalojnë në Palestinë ku edhe themelojnë shoqërinë e parë hebreje mirë të  konsoliduar. Historia flet se përderisa hebrenjtë po kalonin nëpër Sina’, Musait a.s. i shpallen Dhjetë Këshillat e njohura.

Siç kemi thënë në fillim të këtij shkrimi, historia e hebrenjve në Kur’an jep një mesazh domethënës social, politik e kulturor. Kështu, karakteri dhe sjellja që i promovonte Islami, bartin me vete një mësim shembullorë për të gjitha kohërat.  Parimi universal i fesë që po shpallej ishte ballafaqimi me të ligën, me tiraninë dhe me politikat e korruptuara. Insistimi i hebrenjve për ta kundërshtuar Islamin ishte pikërisht problemi i lirisë, si parim universal i gjinisë njerëzore. Komunikimi i parë mes Islamit dhe hebrenjve reduktohej në një krizë evidente që ishte mungesa e gatishmërisë së tyre për ta pranuar barabarësinë mes njerëzve. Hebrenjtë të cilët e shihnin veten si popull i zgjedhur, ndërsa të tjerët si shërbëtorë, nuk e kishin lehtë të pranonin atë që promovonte Islami. Ata nuk donin të pranonin thirrjen islame se e vetmja karakteristike veçorizuese mes njerëzve ishte devotshmëria. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi më tepër se të qenurit i devotshëm, i arsyeshëm dhe i dobishëm për shoqërinë dhe njerëzimin. Drejtësia mes njerëzve ishte parimi bazë. Humbja e kësaj drejtësie, sipas parimeve të Islamit, nënkupton pështjellimin e koncepteve të drejtësisë universale. Liderët e rremë dhe të korruptuar janë pjellë e padrejtësive që paraqiten në shoqëri të korruptuara. Hebrenjtë e dinin këtë dhe me ngulm i rrinin karshi përhapjes së Islamit. Ata e kishin kuptuar, me gjithë komunikimin tepër të butë që e zhvillonte Kur’ani me ta, se do të humbnin privilegjet e rreme dhe të pa meritë që i gëzonin deri atëherë. Ata kishin lejuar krijimin e liderëve të rremë në mesin tyre. Në vend se t’i kundërshtonin, në vend se t’i ndërronin e t’i hjeknin qafe të rremit, ata i vrisnin të mirët, i vranë profetët e Zotit. Andaj, që në fillim të patëm thënë se dimensioni pedagogjik e social i ngjarjeve që i përmend Kur’ani është më i rëndësishëm se vet ngjarja që përmenden në te.

Një tjetër tematikë të cilën Kur’ani e prkë në lidhje me hebrenjtë, është mrekullia (muxhize). Rastet si kalimi nëpër Detin e  Kuq, dënimi për shkak të adhurimit të viçit, shtrirja e reve për freski si dhe disa momente tjera të mbinatyrshme, duhet kuptuar si intervenim i drejtpërdrejtë i Zotit për t’i ndihmuar ata. Këto ndodhi të mbinatyrshme me gjuhën e fesë quhen mu’xhize (mrekulli).

Mrekullitë e profetëve të cilat i përmend Kur’ani, në të kaluarën ishin përdorë si argumente mbi ekzistencën dhe fuqinë e Zotit. Në fakt, ato janë akte të mbinatyrshme të cilat nuk shpjegohen lehtë me gjuhën e shkencës. Janë matanë mundësisë logjike për tu kuptuar e interpretuar. Por, edhe pse Muhamedi a.s., ishte i dërguar i Zotit sikur gjithë profetët tjerë, Kur’ani nuk ka të regjistruar ndonjë mrekulli të Muhamedit a.s. Ai vetë kishte refuzuar të shërbehej me to në momentin kur kundërshtarët e tij kishin kërkuar një të tillë. Atëbotë ai kishte thënë se ishte njeri sikur gjithë të tjerët dhe se nuk shërbehet me kurrfarë mrekullie.  Mbase, vetë Zoti ia kishte ndaluar të shërbehej me to. Kur’ani ishte e vetmja mrekulli të cilën e dispononte dhe promovonte Muhamedi a.s.

Ç’është e vërteta, mrekullitë janë përdorur kur njeriu ishte në nivel të ulët të zhvillimit dhe emancipimit shoqëror. Atëherë kur njeriu ishte ende në periudhën “fëmijërore” të zhvillimit. Atëherë kur mënyra metafizike e kuptimit të natyrës ishte evidente.

Në kohën kur paraqitet Islami, njerëzimi kishte arrit një shkallë më të lartë të “pjekurisë”. Si fe e përkryer që ishte, si fe përfundimtare e shpallur nga Zoti, që anulonte shpalljet e mëparshme, para së gjithash si fe universale në kohë dhe hapësirë, Islami nuk i lejoi profetit të  e njerëzimit që nëpërmes mrekullive e “zbulesave” metafizike t’i qasej jetës. Për Muhamedin a.s. natyra ishte mrekulli. Kur’ani i kishte thënë atij se mrekullitë e natyrës janë të shumta dhe të përhapura  në ne dhe përreth nesh. Mrekullia e Kur’anit që manifestohet në bukurinë dhe rendin e natyrës, është mrekullia e mrekullive. Ligjet e Zotit në natyrë janë mrekulli në vete, që obligohemi t’i zbulojmë, t’i njohim dhe t’i vëmë në praktikë. Kur’ani u thotë njerëzve se krijimi i qiejve dhe tokës, ndërrimi i hënës, lindja dhe perëndimi i diellit janë mrekullitë për të cilat duhet të flet Muhamedi a.s. dhe besimtarët e tij. Edhe pse Islami në disa raste deziluzionon natyrën, ai e bënë këtë vetëm për aq sa të ndalojë besëtytnitë animiste, magjitë si dhe besimin në zotat e rremë. Islami nuk e sheh natyrën vetëm si materiale.  Asaj ia pranon edhe anën shpirtërore që ka. Natyra nuk është vetëm dhe as vetëm gurë. Kur’ani sheh në Krijim, në qiej, në tokë, si dhe në atë që gjendet ndërmjet tyre, tek dielli, tek hëna dhe yjet, tek ndërrimi i ditës dhe i natës, në erërat fekonduese, në shirat jetëdhënës dhe qiejt kulmues – shenjat e Zotit. Këto shenja i sheh edhe në detet e paanë dhe në malet magjepse, në lumenjtë, në lëndinat si dhe në shumëllojshmërinë e ngjyrave dhe cilësive. Shenjat e Zotit janë edhe në grunajat ushqyese, në frutat, shtazët, tek bimët dhe mineralet. Në të gjitha këto si dhe në përmasat e brendshme dhe të jashtme të tyre dhe në gjithçka tjetër qe ne nuk e dimë i sheh ligjet e Krijuesit të Madhërishëm. Ligjet e Zotit të cilat duhet hulumtuar janë edhe tek njeriu dhe çifti i tij femër, në dashurinë mes tyre. Zoti me ligjet e Tij është prezent në çdo gjë që nga horizontet më të paarritshme deri te brendia e vetes sonë. Këto ligje janë mrekullitë për të cilat flet Kur’ani, për të cilat kishte thënë Muhamedi se janë mrekullitë e vërteta për kohët që po vijnë, jo ato të kohërave të magjive, të miteve dhe të besëtytnive.

(VAZHDON)

You may also like

Kush do ta zëvendësoj Buffon në Juventus?

Juventusi është në bisedime për ta transferuar Mattia