Thënë me ironi, evangjelistët e Trump-it bashkë me komunistët, sindikalistët e mbarë vendeve perëndimore, dhe të gjithë ata që janë kundër të të ashtuquajturit “rend i ri botëror”, i kanë bashkuar forcat kundër vaksinës Anti-COVID-19. Të paktën kjo përshtypje të krijohet, sapo të provosh t’i hetosh burimet e propagandës.
Shkruan: Imer Topanica
Mekanizmat që i kanë përdorur shtetet në mbarë botën për ta luftuar pandeminë, kanë qenë të ngjashëm, qysh prej fillimit të saj. Kush më shumë e kush më pak, karantinimin, maskat, distancën sociale, e tash së voni edhe vaksinat anti-Covid-19, i kanë vënë në funksion, për ta gjunjëzuar këtë armik të padukshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), bashkë me një inxhiniering sistemesh shëndetësore (universitete, spitale, laboratore), morën vëmendjen e opinionit publik në nivel global, si burim kredibil informacioni.
Mirëpo, përkundër informatave zyrtare që u plasuan përreth virusit, skepticizmi mbeti stoik. Paralelisht me narracionin zyrtar, u zhvillua edhe një tjetër, që e kundërshtoi të parin, që në krye të herës.
Konkluzione edhe kundërthënëse që vijnë shpesh nga qarqe të njëjta për sa i përket virusit dhe vaksinës, qarkullojnë edhe sot e kësaj dite:
“Virusi është modifikuar gjenetikisht në laborator”, “është planifikuar vrasja e gjysmës së popullsisë, me qëllim për ta shpëtuar planetin nga mbipopullimi”, “vaksinat kanë kundërefekte fatale”, “nëpërmjet tyre po imponohen edhe çipat për ta kontrolluar qytetarin global” etj. Me një fjalë, pandemia ka krijuar një situatë lufte, prandaj vjen në shprehje edhe propaganda.
Kosova nuk i ka shpëtuar kësaj krize
Grupe anti-vaksinës kanë filluar të shfaqen edhe këtu. Nën thirrjen për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, po e kundërshtojnë atë që mund të quhet: hegjemoni e maskave. E në fakt, nën këtë rrogoz, fshihet skepticizmi ndaj vaksinës.
Antoine Flahault, një epidemiolog i njohur, për Francë 24, i komentoi shumicën e këtyre qëndrimeve, duke konstatuar se ato janë të paqëndrueshme. Sipas tij vaksina 100% efikase nuk ka, e mbase as nuk do të ketë, por këto që janë vënë në qarkullim kundër COVID-19, janë mjaft afër kësaj përqindjeje.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19, ka vazhduar në mënyrë intensive për disa muaj rresht. Ministria e Shëndetësisë para disa ditësh konfirmoi se që nga fillimi i këtij procesi e deri më tani, numri i vaksinave të administruara ka kaluar shifrën e 1 milionë e 100 mijë. Megjithatë, autoritetet shëndetësore kanë rekomanduar ashpërsim të masave. Pasojat e lirimit të tyre disa mujorëshe përgjatë këtij viti, për rrjedhojë, ndikuan në rritjen e shifrave të të vdekurve dhe të të infektuarve.
Një pasqyrë më e gjerë e të dhënave tregon se që nga paraqitja e rasteve të para pozitive me virusin Sars COV 2 (më 13. 03. 2020), është shtuar edhe numri i të vdekurve. Duke u mbështetur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vërejmë një rritje enorme të numrit të të vdekurve në vitin e parë të pandemisë, në raport me një vit paraprak. Tabela e mëposhtme ku është marrë si referencë Prishtina, shpjegon shumëçka:
Viti | Vendi | Të dy gjinitë | Numri |
2017 | Prishtinë | 2.304 | |
2018 | Prishtinë | 2.531 | |
2019 | Prishtinë | 2.609 | |
2020 | Prishtinë | 3.184 |
Edhe në nivel vendi numri i të vdekurve, e tregon të njëjtën gjë.
Në vitin 2018, vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekjet, kanë qenë 9991, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 8998, kurse vdekjet të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 993.
Në vitin 2019, vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekjet, në vitin 2019, kanë qenë 10 560, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 9430 raste, kurse vdekjet që kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 1130 raste.
Ndërsa për vitin 2020, numri total i të vdekurve (sipas vendit ku ka ndodhur vdekja, por edhe sipas vendit të përhershëm të të vdekurve), ka shkuar në: 14489 persona.
Por për ata që janë rreshtuar kundër vaksinës, të dhënat e publikuara nga institucionet zyrtare, nuk përbëjnë ndonjë bazë të qëndrueshme për t’i justifikuar masat anti-covid, e aq më pak vaksinimin si mekanizëm mbrojtës. Në anën e tyre ka edhe autoritete shëndetësore, ndonëse në krahasim me armatën që e ka mbështetur vaksinën, mbetet shifër inferiore.
“Unë jam vaksinuar dhe jo, nuk e di çfarë ka në të. Sikurse nuk e kam ditur se çfarë përmbajtjesh kanë pasur vaksinat e fëmijërisë. Unë nuk e di çfarë ka në Big Mac e hot dog. Unë nuk e di çfarë përmbajtje ka ibuprofeni dhe ilaçet e tjera, përkundër që e kam provuar se m’i shuajnë dhimbjet” – thotë një zë apologjetik pro vaksinës, i cili i ka pushtuar rrjetet sociale së fundmi. Gjithsesi një zë që nuk duan ta dëgjojnë ata që janë kundër saj./Vazhdon…/KosovaPost/