Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se Qeveria e Kosovës, e ka nën kontroll situatën e pandemisë, shkruan Kosova Post.
Në seancën parlamentare në të cilën po diskutohet për situatën ekonomike në kohën e pandemisë, opozita po e kritikon Qeverinë Kurti, për mungesë të vizionit ekonomik, përkatësisht për keqmenaxhim të situatës ekonomike përgjatë kësaj periudhe të vështirë.
Ministri Hekuran Murati, duke iu kundërpërgjigjur akuzave tha ndër të tjera se për të dalë te ekonomia, duhet të diskutuar fillimisht për pandeminë.
“…ne e kemi lënë me këso numra, këta e kanë marrë dhe na e kanë pru me 13 mijë të infektuem dhe prapë e ulëm. Kjo është përtej rastësisë. Pra s’ka të bëjë me rastësi, sepse e bëmë dy herë…” – tha fillimisht Murati, duke konstatuar se situata me pandeminë, është nën kontroll.
Ai bëri krahasime edhe për sa u përket pakove ekonomike që janë planifikuar nga qeveritë, ajo paraprake dhe kjo aktuale:
“Për sa u përket masave të qeverisë së kalueme, as nuk ka pas hapje, as nuk ka pas mbyllje, numrat kanë qenë rekord, kanë thyer rekorde të zeza në vazhdimësi, edhe është parë se si janë shpërnda ato mjete…”
Debati është duke vijuar, ndërsa replikat kanë qenë të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës./KosovaPost/