Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se nga dita e djeshme njësitet e specializuara të FSK-së kanë vazhduar pandërprerje operacionin për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës emergjente në Deçan pas helmimit të mbi 1000 personave.
Ai, ka shkruar në Facebook, se operacionet do t’i vazhdojnë derisa situata në Deçan të rikthehet në normalitet, sepse ky është misioni dhe detyra e tyre.
“Sot, bazuar në rrethanat dhe nevojat e Shtabit Emergjent, kemi angazhuar pesë njësi të specializuara: për detektimin e materieve të rrezikshme, për skanimin dhe incizimin e zonës në burimet dhe rrjedhën ujore, në asistencë mjekësore, operacione civile, së bashku edhe me njësinë homologe të forcave amerikane si dhe oficerët për planifikim dhe organizim shtabor”, ka shkruar Mehaj, duke shtuar se detyra jonë është të ndihmojmë me kapacitet tona për ta rikthyer situatën në normalitet
“Vazhdojmë operacionet tona deri në tejkalimin e situatës emergjente dhe rikthimit të gjendjes normale. Ky është misioni ynë! Kjo është detyra jonë!”.