Klubi hendbollistik Trepça po kthehet në skenën e madhe, në skenën evropiane, transmeton Kosova Post.
Klubi mitrovicas e ka privilegjin, por edhe përgjegjësinë e madhe, për ta prezantuar qytetin e minatorëve në gara evropiane.
Më 18 e 19 shtator, në palestrën “Minatori”, zhvillojnë ndeshjet me skuadrën nga Izraeli, Holon Yavolim. Ndeshjet i takojnë raundit të parë të Kupës Evropiane.
“Po përgatitemi për ta prezantuar klubin e qytetin ashtu si e meritojnë. Kemi bërë ndryshime, kemi sjellë lojtarë e trajner dhe kthimi në gara kontinentale shpresojmë të jetë i suksesshëm.
Me dy ndeshjet evropiane e hapim edicionin e ri, ndërsa shpresojmë se masat në fuqi dhe rekomandimet e FHK-së do të na lejojnë që të kemi numër të tifozëve në palestër, që do të ishte me rëndësi të madhe”, thuhet në njoftimin e klubit.