Prokuroria pritet t’i zgjerojë hetimet për Rastin ‘Telekomi’. Kështu ka mësuar Kosova Post nëpërmjet burimeve të saj.
Arrestimi i G.H, F.A e A.P kohë më parë, çoi në zbardhjen e disa detajeve të veprës kriminale ekonomike, në të cilin dyshohen të jenë përfshirë ata. Mirëpo, dyshimet se në këtë raste janë përfshirë edhe persona të tjerë, janë mjaft të forta, andaj zgjerimi i hetimeve duket një opsion i pashmangshëm.
Avokati i A.P, Asdren Bytyqi për Kosova Post ka treguar se lirimi i klientit të tij, është bërë pasi është vërtetuar se ai ka qenë viktimë e një skenari të keqpërdorimit.
Sipas Bytyqit, ndonëse prokurori ka propozuar fillimisht paraburgim meqë “është mendu që ky i ka falsifiku faturat në vlerë diku 150-200 mijë euro”, më vonë është liruar, meqë njëri prej të arrestuarve e ka pranuar fajin.
Veprat të cilat rëndojnë mbi të arrestuarit janë:
-
- Shmangie nga tatimi;
- Keqpërdorim dhe mashtrim i prokurimit publik;
- Dokumente të rrejshme.
Dëmet, sipas vlerësimeve fillestare, supozohet të jenë mbi 500 mijë euro.
E tëra ka filluar kur një kompani private, i ka lëshuar faktura fiktive një biznesi i cili ishte kontraktuar nga Telekomi i Kosovës, për furnizim me telefona mobilë.
Saktësisht, janë dy kontrata të datës 16 janar 2019 dhe 21 gusht 2019, me vlerë prej 229 mijë e 715 eurosh, përkatësisht 207.733 eurosh, të lidhura me Telekomin e Kosovës, për furnizim me telefona, që kanë çuar drejt hetimeve rastin.
Sipas informatave të siguruara nga Kosova Post, i dyshuari G.H e ka pranuar se i ka falsifikuar nënshkrimet, duke e keqpërdorur një vulë të një kompanie, me qëllim që të krijojë alibi se, kinse, telefonat janë blerë.
Por burimet e Kosova Post konfirmojnë se “prokurori ka pranuar raportin nga Dogana e Kosovës se kompania Z.M nuk ka pranuar aparate telfonike nga asnjë shtet tjetër, po ashtu prokurori ka pranuar se edhe raportet nga Dogana e Kosovës se Telekomi i Kosovës me rastin e kryerjes së obligimeve ndaj operatorit ekonomik për telefona të blerë ka paguar në emër të TVSh-së edhe vlerën mbi 100 mijë euro tek kompania Z.M.”
(Vërejtje: Redaksia i posedon emrat e kompanive, sikundër edhe emrave të të dyshuarve, por me qëllim që të mos e dëmtojë rastin, do t’iu referohet atyre vetëm me iniciale).
Pas arrestimit të të dyshuarve nga Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas arrestimit të dyshuarve është vërtetuar që Telekomi i Kosovës, përkundër lidhjes së kontratave me kontraktorin në fjalë, nuk është furnizuar asnjëherë me telefona.
437.488 euro është vlera e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të Telekomit, e cila besohet është edhe më e lartë.
Të dyshuarit besohet se për t’i arritur qëllimet, kanë bashkëpunuar edhe me disa zyrtarë të Telekomit. Kjo ka çuar drejt arrestimit të zyrtarëve T.M dhe A.O (më 30 mars 2021).
Një burim i Kosova Post ka thënë se “në bazë të të dhënave të deritanishme, del që hetimet do të zgjerohen, pasi që besohet se në rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë.”
Për rrjedhojë, ditëve në vijim, hetimet mund të çojnë edhe në arrestimet e personave të tjerë./KosovaPost/