Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Chris Hill s’ka dashur të komentojë procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një paraqitje televizive për Euronews Serbia, Hill ka thënë se të pandehurit duhet të kenë hapësirën për t’u sqaruar.
Ai shtoi se përderisa gjykimi është duke vazhduar edhe më tutje, nuk do të ishte korrekte të flitet për të.
Në anën tjetër, ai ripotencoi faktin se gjykata për krime lufte është themeluar shumë kohë më parë, ani pse s’e përmendi arsyen pse Dhomat e Specializuara u formuan, për të shqyrtuar akuzat e Dick Martyt.
“Gjykata për krime lufte është themeluar shumë kohë më parë, edhe para asaj që ka ndodhur në Kosovë. Mendoj se është e rëndësishme të lejojmë që ato gjykime të vazhdojnë, të paraqesin prova, t’u jepet mundësia të pandehurve të sqarohen, do të shohim se çfarë thonë gjyqtarët në fund. Nuk mendoj se është e rëndësishme të flasim për këtë tani sepse gjyqi është në vazhdim.”