Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, me shqetësim të madh është duke e përcjelle situatën rreth çështjes kontestuese në mes ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” dhe Komunës së Deçanit në njërën anë dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër, dhe dënon ashpër presionet ndërkombëtare për zbatimin e këtij vendimi antikushtetues dhe antiligjor, i cili buron në ligjet e kohës së Millosheviqit.
Në një komunikatë për media, Lidhja e Historianëve të Kosovës i bën thirrje Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë, që të mos e zbatojë vendimin antikushtetues dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 maj 2016, për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, pasi që si i tillë ai prek gjithë qytetarët e Deçanit dhe është pengese për zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të Kosovës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, është i papranueshëm edhe për Komunën e Deçanit dhe qytetarët e kësaj komune, andaj ne e ripërsërisim edhe një here kërkesën tonë drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë që të mos e zbatojë këtë vendim të dëmshëm dhe të pariparueshëm për Deçanin në veçanti dhe Kosovën në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.