Vendimi erdhi pasi policia e Hong Kongut arrestoi drejtuesit e saj dhe ngriu pasuritë e tyre javën e kaluar.
Ankara/ Gazeta disidente e Hong Kongut “Apple Daily” njoftoi mbylljen e saj sot pasi qeveria arrestoi drejtuesit e saj dhe ngriu pasuritë e tyre javën e kaluar sipas një ligji të ri të sigurisë kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Publikuesi i gazetës, Next Digital në një deklaratë tha se Bordi i drejtorëve ka vendosur të mbyllë gazetën që nga e diela.
“Next Digital Limited me keqardhje njofton se për shkak të rrethanave aktuale që mbizotërojnë në Hong Kong, ‘Apple Daily’ në formën e tij të shtypur do të marrë fund jo më vonë se botimi i tij i fundit të shtunën më 26 qershor 2021 dhe versioni dixhital nuk do të jetë më në dispozicion më vonë sesa 23:59 të shtunën më 26 qershor 2021”, deklaroi publikuesi i gazetës.
“Kompania falënderon lexuesit tanë për mbështetjen e tyre besnike dhe gazetarët, stafin dhe reklamuesit tanë për angazhimin e tyre gjatë 26 viteve të fundit”, thuhet në deklaratë.
Më parë, revista më e madhe e kompanisë, Next Magazine, gjithashtu njoftoi se do t’i japë fund funksionimit të saj.
Kjo erdhi pasi autoritetet e Hong Kongut arrestuan një tjetër anëtar kryesor të gazetës.
Javën e kaluar, policia e Hong Kongut arrestoi 5 drejtues të së përditshmes, nën dyshimet për bashkëpunim me të huaj.
E përditshmja është në pronësi të manjatit të medias Jimmy Lai Chee-ying, i cili u arrestua vitin e kaluar dhe u ngarkua me shumë akuza sipas Ligjit të ri të sigurisë kombëtare. Nëntë të tjerë u arrestuan sipas ligjit të njëjtë.
Veprimi i policisë erdhi pasi Kina zbatoi ligjin e saj të sigurisë kombëtare në rajonin gjysmë-autonom më 1 korrik 2020.
Ligji kriminalizon qëndrimet anti-Kinë në rajon, të cilat vazhduan të shërbenin si një qendër ekonomike pasi Britania e Madhe ia dorëzoi Pekinit në vitin 1997 nën një zotim se do të gëzonte një “nivel të lartë të autonomisë” për 50 vjet.