Hoti flet se kur do të ngritet mocioni për rrëzimin e Qeverisë (Video)

Hoti flet se kur do të ngritet mocioni për rrëzimin e Qeverisë (Video)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tash e sa kohë bënë thirrje që vendi duhet të shkojë në zgjedhje për faktin se qeveria Haradinaj ka degraduar dhe nuk e ka fuqinë të përballët me çështje madhore që ka para vetës Kosova, shkruan Kosova Post.

Zërat për zgjedhej të reja janë ngritur sidomos kohëve të fundit kur Lista Serbe largohet nga qeveria dhe kalon në opozitë në Kuvend.

Këtyre zërave të LDK-së për rrëzimin e qeverisë tashmë iu është bashkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila arsyeton ketë kërkesë për faktin se qeveria sipas tyre nuk është krijuar për zhvillimin ekonomik të vendit, e as për zhvillim të shëndetësisë por për të dëmtuar shtetin e Kosovës siç është kalimi i Demarkacionit dhe formimi i Asociacionit.

Përkundër këtyre thirrjeve për rrëzimin e qeverisë dy partitë opozitare nuk kanë bërë ndonjë lëvizje konkrete për të realizuar ketë kërkesë me arsyetimin se gjithçka do të rrjedh në mënyrë graduale që Kosova të bënë pregaditjet e duhura.

Lidhur me kërkesën e LDK-së që kjo qeveri të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje si dhe veprimet që duhet ta përcjellin këtë proces, flet nënkryetari i LDK-së Avdullah Hoti i cili thotë se kjo qeveri duhet të rrëzohet pasi që nuk është jo funksionale.

Hoti thotë se për zgjedhjet e reja duhet të pregaditemi mjaftueshëm dhe nuk kemi nevojë të ngutemi.

“Ky koalicion qeverisës është plotësisht jo funksional pasi nuk ka deputetë të mjaftueshëm në seancë dhe nuk ka korum pasi nuk ekziston më shumica parlamentare, janë vetëm 52 deputetë të shumicës. Ne e kemi dhënë propozimin tonë se si të shkohet më tutje në zgjedhje të reja të parakohshme, të mos ngutemi të organizojmë zgjedhje brenda 30 ditësh, të bëjmë pregaditjet e nevojshme”, tha Hoti për Kosova Post.

Ndryshe, Hoti kujton propozimin që ka bërë LDK-ja për një trezë të përbashkët më partitë politike ku do të dakordohemi për datën e zgjedhjeve dhe hapat e mëtejm.

Sipas tij, nëse tryeza e përbashkët do të dështoi, hapi tjetër që do ta dërgoi vendin në zgjedhje të reja është rrëzimi i qeverisë me mocion.

“Kemi ftuar tryezën me partitë politike për tu dakorduar për datë të zgjedhjeve dhe hapat e mëtutjeshëm për zgjedhje. Nëse kjo nuk funksionin ne pastaj do të lëvizim me mocionin e vetëbesimit. Do të ndjekim të gjitha procedurat demokratike dhe kushtetuese për të çuar vendin në zgjedhje. Hapi i parë organizimi i tryezës për caktimin e datës së zgjedhjeve nëse kjo nuk ndodhë atëherë është mocioni e cila pothuajse është punë e kryer për rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë Hoti, shkruan Kosova Post./Albana Hajdari/Eren Beksaç/