Pas publikimit të audio-incizimit të bisedës ndërmjet gazetarit Visar Duriqi dhe një personi të dyshuar si agjent rus, në opinionin kosovarë kanë shpërthyer reagimet, raporton Kosova Post.
Sipas Shqip.com, në këtë video-audio-incizim, kuptohet qartë se Duriqi dhe një person, i cili dyshohet të jetë agjent rus, kanë rënë dakord për shkrimin dhe publikimin e disa artikujve të porositur nga ky i fundit, përkundrejt një vlere monetare, sasia e së cilës, nuk është zbuluar.
Siç kemi raportuar gjatë ditës, Kosova Post ka bërë përpjekje që ta mësoj qëndrimin e Duriqit rreth këtij publikimi, por ai nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje.
Përkundër kësaj, qytetarë të shumtë kanë reaguar pas publikimit të videos.
Njëri prej tyre është edhe hoxha i mirënjohur Osman Musliu, i cili disa herë është konfrontuar edhe publikisht me gazetarin në fjalë.
“Ky djali po i dika senet…!?” – ka shkruar Musliu, duke shtuar më tej se:
“Nuk e konsideroj vetën melaqe, as Evlija, besa edhe jo fort për kurban, por shumica, për t’mos thënë të gjithë, e atyre që më kanë fyer, ofenduar e sulmuar, deri më tani, disi kanë dalur të jeni disa fundërrina, sikur ky djaloshi në fjalë!
Gazetarë të ndershëm, mos keni drojë e frikë të flisni për këtë lloj të gazetarëve faqezinj ashtu siç kam folur dhe kritikua unë për “hoxhallarë”, e njerëz në emisionet tuaja!”
Pas këtij publikimi, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Nga AGK kanë bërë thirrje që të respektohet Kodi Etik i Gazetarisë.
Opinioni publik, ndërkaq, vijon të gëlojë nga reagimet e qytetarëve të shumtë./KosovaPost/