Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përkujtuar masakrën e para 22 vitesh në Izbicë të Skenderajt, ku u vranë e masakruan 147 persona, burra, gra, pleq e fëmijë, shkruan Kosova Post.
Përmes një shkrimi në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se për këto akte makabre të pushtetit serb të Millosheviqit, Kosova nuk do të ndalet kurrë së kërkuari drejtësi, derisa edhe përgjegjësi i fundit i krimeve të jap llogari për veprimet e tij.
Postimi i plotë:
Duke e ditur që ditëve të tyre në Kosovë po u vinte fundi, forcat paramilitare serbe, të orkestruara dhe të urdhëruara për të realizuar gjenocid nga kokat e një regjimi kriminal si ai i Millosheviçit, me 28 mars 1999 ia mësynë Izbicës së Drenicës, për të plaçkitur, vrarë e deportuar qindra shqiptarë.
Atë ditë, në Izbicë u vranë e masakruan 147 persona, mes tyre burra, gra e pleq dhe u deportuan në Shqipëri mijëra të tjerë. Sot, me bashkëpuntorë e miq, ishim në Izbicë, në tokën e gjakut, për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e martirëve tanë. Kosova asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi – derisa edhe i fundit prej përgjegjësve të krimeve të kryera nga serbët të japë llogari për veprimet e tyre.
Lavdi e përjetshme!.