Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar ambasadorin norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, shkruan Kosova Post.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj thotë se me ambasadorin ka diskutuar për temën e dialogut Kosovë – Serbi, ku ka potencuar se qeveria duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë në këtë dhe se duhet të ketë një transparencë të plotë për të gjitha zhvillimet në Bruksel.
Postimi i plotë i tij:
Gjatë ditës kam takuar ambasadorin norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, me të cilin kemi diskutuar rreth situatës aktuale politike në vend.
Në këtë takim, folëm për temën e dialogut Kosovë – Serbi, ku potencova se marrja e të gjitha përgjegjësive në këtë proces nga ana e qeverisë duhet të ndodhë dhe të ketë një transparencë të plotë për të gjitha zhvillimet në Bruksel.
Po ashtu, diskutuam me ambasadorin për situatën e rënduar shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia dhe ecjen e PDK-së si partia më e madhe në opozitë në kuptim të profilizimit të saj, hapjes, opozitarizmit dhe sjelljen politike në raport me shtetndërtimin.