Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në ditëlindjen e 54-të të Kadri Veselit ka thënë se në sfidat dhe rrugën e gjatë që e pret Kosovën përpara, heroi ynë i luftës dhe paqes e ka vendin në Atdhe.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka kujtuar se Kadri Veseli është nga ata persona që e zgjedhin vetë fatin e tyre, i cili qsh në vitet 90-ta, kur kishte kapërcyer murin e shtëpisë për të takuar fshehurazi prindërit e tij, e kishte ndarë mendjen e zemrën se të gjitha pranverat tjera do t’ia kushtoj Kosovës.
“Tani, thuajse 30 vite më vonë, nuk ka ditë e zhvillim në Kosovën e lirë dhe të pavarur që nuk mbanë firmën e Kadriut. Në aktivitet e organizim të UÇK-së, në luftë e udhëheqje të saj drejt çlirimit, në liri e angazhim për pavarësi, në forcim e siguri të shtetit të Kosovës, Kadriu dha gjithëçka nga vetja. Edhe sot, në Hagë, Kadriu me shokë po ia bëjnë edhe një argat Kosovës sepse ai nuk di ndryshe. Për Kosovën, dhimbjen e tij të fëmijërisë, ëndrrën e tij të adoleshencës e idealin e tij prej burri, Kadriu nuk ka njohur as frikën e as mortin.”, ka shkruar ai.
Ai është shprehur se luftën për liri e bëjnë vetëm çlirimtarët zemërbardhë e ata nuk e kanë vendin në bankën e të akuzuarve por të lirë në mesin e njerëzve të vet.
“Deri në ditën e pashmangshme të lirisë – edhe 100, kryetar Kadri Veseli”, ka uruar Hoxhaj.