Gjatë ditës së djeshme me paralajmërimin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, situata në veri të vendit është përshkallëzuar, raporton KosovaPost.
Serbët në komunën e Zubin Potokut mbajtjen e zgjedhjeve e kanë kundërshtuar, duke shkaktuar incidente që tensionuan dhe shqetësuan qytetarët e kësaj komune.
Lidhur me këto ngjarje kanë reaguar disa ndërkombëtarë.
Kreu i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka bërë të ditur se EULEX-i së bashku me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in janë duke bërë monitorimin e situatës.
Ndryshe nga Wigemark, ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka thënë se dhuna ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme.
“Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që PK-ja në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, ka shkruar Rohde në Twitter, transmeton KosovaPost.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier konsideron se kushtet për mbajtjet e zgjedhjeve nuk janë krijuar në këto komuna.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje” shkroi Hovenier në Twitter.
Lidhur me këto sulme profesori unversitar, Hysamedin Feraj ka bërë një postim në llogarinë e tij në facebook, ku ka shkruar se opozita po e fajëson Albin Kurtin për shpërthimet në veri të vendit.
“Për dhunën ndaj zgjedhësve: ambasadori amerikan paska dënuar bandat serbe, opozita qeverinë e Kurtit!”, ka shkruar Feraj.