Adrian Bajrami e ka ndarë mendjen: futbollisti shqiptar ka vendosur ta përfaqësojë Kombëtaren shqiptare para asaj të Zvicrës.
“Helvetikët” tashmë janë dorëzuar për futbollistin e Benfican, i cili është lindur dhe rritur në këtë shtet.
19 vjeçari hoqi dorë nga Zvicra U-20 për t’iu bashkuar Kombëtares A të Shqipërisë.
Ai thotë se këtë e ndjeu me zemër, duke i hequr të gjitha dilemat.
“Unë jam shqiptar. Jam lindur dhe rritur në Zvicër, ku i kalova disa vite në futbollin zviceran. Por, tash jam në ekipin e të rinjve të Benficas dhe e zgjodha Shqipërinë. Sepse jam shqiptar”, deklaroi mbrojtësi shqiptar, shkruan mediumi zviceran “Blick”.
Deri të hënën, Federata Zvicerane e Futbollit shpresonte që t’ia ndërronte mendjen ish-futbollistit të të rinjve të Young Boys.
Mirëpo, zviceranët shpresojnë që ai të mos inkuadrohet në lojë tek Kuqezinjtë në miqësoret e marsit ndaj Spanjës ose ndaj Gjeorgjisë, pasi këto nuk janë ndeshje zyrtare.
Megjithatë, Bajrami ka vendosur përfundimisht për t’i përfaqësuar “Shqiponjat”.
Si model, ai e ka marrë një tjetër mbrojtës shqiptar që i zgjodhi Kuqezinjtë,përcjell gazeta Express.
“Modeli im është Berat Gjimshiti, por edhe të tjerët janë mjaft të mirë. Unë definitivisht mund të mësoj shumë nga ta. Lojtarët që kanë luajtur ose që luajnë në Zvicër, mbi të gjitha Emir Lenjani e Berat Gjimshiti, më kanë afruar me ekipin dhe m’i kanë bërë gjërat më të lehta. Unë jam në garë për të luajtur në ekipin A të Shqipërisë”, përfundoi Bajrami.