Ideali, Flamuri dhe ‘Demaçizmi’

Ideali, Flamuri dhe ‘Demaçizmi’

Shkruan: Orhan Bislimaj

Se ç’më ra ndërmend një digresion nga një debat televiziv. Një analist, mbronte idenë se Kosova, së shpejti nuk do ta dëshirojë bashkimin me Shqipërinë, e lëre që ta synojë atë. Sipas tij, vetë politikanët e politikëbërja e aranzhuar, do ta çojë popullin drejt frymës konfliktuoze, gjersa bashkimi i mundshëm, do të bëhet praktikisht i pamundshëm. Sa do që nuk besoja në këtë konstatim, megjithatë, e ruaja rezervën, gjithnjë sipas teorisë së Kantit, i cili thoshte se “shteti e formon mentalitetin e qytetarëve” dhe, kjo më tundos akoma.

E, pra, erdhi një ditë, kur flamuri i kombit, duhet t’ia lëshojë epërsinë atij të shtetit, pra u përul, siç kjo ndodhi më datë 13.02.2018 në Prishtinë!? Natyrisht, jo mirë! Sepse, bëhet fjalë për simbolin, që përfaqëson etnikumin dhe rrënjët tona. Zatën, flamujt, nderohen për këtë arsye, e jo për cilësinë e shtizës e as të shtofit. Kur’ani, në mënyrë metaforike, agun e kapërcyllit të mëngjesit, e ka simbolizuar përmes perit të bardhë e atij të zi. Siç duket, veprimet e institucioneve tona ndaj flamurit, e kanë kaluar zonën neutrale, e që Kosovën, për ditë e më shumë po e shpiejnë në sokakun e dezintegrimit kombëtar, rrëgjimit identitar, e tjetërsimit kulturor. Ndoshta, nuk do të ishte asgjë, sikur përulja e flamurit të ndodhte për arsye momenti, siç ndodhi, ta zëmë para një kohe në Katedralën katolike në Prishtinë. Por, është e rëndë, kur kjo ndodh si pasojë e koncepteve të ndjekura, që përditë po fuqizohen, fatkeqësisht. E mbivlerësoj kursin zyrtar të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, e cila, si asnjë institucion tjetër, flamurin e kombit e ka FLAMUR dhe, fare pranë tij atë të shtetit të Kosovës.

Gjersa, flamurin kombëtar e mbajmë hirëplotë në çdo institucion, gazmend, dasëm e vdekje, e mos të flasim për festa e manifestime, edhe idenë e origjinës e të etnisë e kemi po në këtë nivel. Në fakti, jemi vetvetja, po edhe më të fuqishëm, sepse jemi të përbashkuar rreth idealit (flamurit), të gjithë, si një grusht, gjithandej trojeve etnike shqiptare. Si të tillë, edhe pse jemi Kosovë, njëkohësisht jemi Shqipëri, jemi Iliridë, jemi Ulqin, Tivar, Plavë e Guci; jemi Preshevë, Medvegjë e Bujanovc; jemi Pazar I Ri, e jemi Çamëri. Zhvillimet socio-politike janë si uji mbi zall, që ecën e nuk ndalet, herë turbullohet e herë kthjellohet. Flamuri kombëtar është zalli ynë i tokës tonë, nuk është njëri prej të barabartëve, sikurse që i nderojmë flamujt e shteteve të tjera. Jo, ai është vetë ideali i shqiptarëve, që përmban e simbolizon përpjekjet e shqiptarëve për liri, në të gjitha periudhat historike. E, në diskursin actual kohor, përsëri përmban domethënien e ËNDËRRËS SË PAMBARUAR, që nuk mund ta thotë asnjë simbol tjetër. Burgosja e Adem Demaçit në vitet ’60-ta të shekullit të kaluar, nga okupatori serb, nuk ndodhi për ndonjë “krim”, sepse nuk kishte bërë asgjë të tillë. Ai, vuajti afër 30 vjet burg, për promovimin public të idealit kombëtar për liri e mëvetësi. Dhe, sot, ne, ia dimë vlerën Adem Demaçit, më shumë se çdo luftëtari tjetër të periudhës tonë, jo vetëm për kontributin e madh sasior, sepse ka edhe të tjerë të tillë, por për faktin e vetëm se ai e mbajti AKTIVE idenë për lirinë, që ndodhi në vitin 1999 dhe pavarësinë në vitin 2008.

Pra, në rrethana të tilla ka rëndësi mabjtja active e idesë. Bile, për hirë të kësaj, Rexhep Qosja e pati quajtur Adem Demaçin “SIMBOL” të rezistencës kombëtare. Pastaj kjo e inkurajoi një debat të Ukshin Hotit, i cili nga burgu, përmes gazetës “Bujku”, në vitin 1997, pati dhënë analiza interesante rreth simboleve dhe kush mund të ishte i tillë. Në këtë analogji, në kohën tonë, mbajtja e flamurit kombëtar në hyrje të qyteteve e në mes të tyre, në institucione, në përvjetore e manifestime, si një simbol i pakrahasueshëm me asnjë tjetër, është e të njëjtës rëndësi, me betimin e Adem Demaçit, me luftën e Adem Jasharit dhe shumë luftëtarëve të tjerë idealist. Sepse, kjo e mban aktive idealin e origjinës. Flamuri i Kosovës, që e dua dhe e respektoj duhet t’i pranëvihet e assesi t’i paraprijë në lartësim, së paku në Kosovë. Ai (flamuri i Kosovës) përmbahet në flamurin kombëtar, si një arritje solide territoriale kombëtare shqiptare, por nuk e përmban dot atë. Kohërat, mënyrat e format ndryshojnë, por idealet nuk ndryshojnë asnjëherë. Sepse, ato janë vlera, e vlerat janë të tilla. Së paku kështu kishte thënë dhe Sokrati. Ndërsa, të gjitha përpjekjet e secilit individ, qoftë kryetar a kryeministër, qoftë kryetar partie apo komune, në secilën kohë, marrin rol e dobi sipas idealeve që synohen. Mund të duket I parëndësishëm, por lartësimi i flamurit dhe identifikimi me atë, ka mjaft peshë, si dikur veprimtaria patriotike Adem Demaçit, që e mbajti AKTIVE idenë. E, kjo do të bëhet akoma më e rëndësishme, ndër brezat e ardhshëm, kur do të shtohet numri i atyre që nuk e duan flamurin kombëtar si predikat i tyre. Historia është “shoshë”, për të gjithë!

You may also like

Suhareka përmbytet nga vërshimet

Në qytetin e Suharekës, reshjet e shiut kanë