Një gjykatë franceze ka urdhëruar firmën ndërkombëtare “Ikea” të paguajë një gjobë prej një milion euro për spiunimin ndaj punonjësve të saj në atë vend, pasi shitësi kryesor i mobiljeve në botë u shpall fajtor për mbledhjen dhe ruajtjen e paligjshme të të dhënave për punonjësit, transmeton KosovaPost.
Dega franceze e prodhuesit suedez të mobiljeve u akuzua për “ndjekje” të punëtorëve dhe shkelje të privatësisë së tyre për disa vjet, duke rishikuar bilancet në llogaritë e tyre bankare dhe nganjëherë duke punësuar punëtorë të rremë që shkruanin raporte mbi punonjësit, raporton Reuters. Sipas mediave, përveç punonjësve, shënjestër e spiunazhit ishin edhe përfaqësuesit e sindikatës, si dhe disa klientë.
Sipas sindikatës, “Ikea” në Francë pagoi për aksesin në dosjet e policisë që kishin informacione për individë të synuar. Avokatët e Ikea mohuan që kompania të kishte ndonjë strategji spiunazhi të përgjithësuar.
Prokurorët kërkuan një gjobë prej dy milion eurosh kundër kësaj kompanie, e cila është në pronësi të “Ingka Group”.
Ikea tha se po shqyrtonte një vendim gjykate për të përcaktuar nëse kishte nevojë për ndonjë veprim të mëtejshëm, pasi ndërmori hapa për të hequr taktikat e diskutueshme të kontrollit të punonjësve.
“Ikea Retail France dënon me forcë këtë praktikë, kërkon falje dhe zbaton një plan veprimi serioz për të parandaluar që një gjë e tillë të ndodhë përsëri,” tha kompania në një deklaratë./KosovaPost/.