Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes gjatë gatimit, ruajtjes, shpërndarjes dhe konsumit të ushqimit.
IKSHPK-ja bën të ditur se shume herë ekipet mjekësore janë ballafaquar me qytetarë për shkak të helmimit me ushqim të kontaminuar.
“Shumë herë jemi ballafaquar me helmime përmes ushqimit, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital, të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë. Kujdes i shtuar kur konsumohet ushqimi!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Tutje, ata kanë kërkuar shmangien e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht!
Shmangien e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salcat e ndryshme etj.
“Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier. Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara. Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë. Konsumoni qumësht të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Ushqimi i mbetur të ruhet në frigorifer. Ushqimi i ngrirë, i cili është shkrirë, duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe nuk duhet të ringrihet!”, thuhet në njoftim.
Duart duhet të lahen:
Para se të filloni të përgatisni ushqimin
Pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet Pas përdorimit të tualetit
Pasi të pastroni hundën
Pasi të prekni një kafshë
Pasi të prekni ndonjë plagë ose prerje në trup.
“Mos hani ushqim kudo! Pakujdesia shkakton epidemi me rrezik për jetën e qytetarëve!”, përfundohet në njoftim.