Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se nga ekzaminimet në mostrat e pacientëve që janë dërguar për testim në laboratoret jashtë Kosovës, për të gjetur shkaktarin e helmimeve në Deçan, janë detektuar tri bakterie.
IKSHP-ja ka bërë me dije se ekzaminimet janë duke vazhduar për detektim të patogjenëve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.
“Në vazhdën e hulumtimit epidemiologjik në terren ekipet e IKShPK kanë vazhduar kërkimin e e shkaktarit të shpërthimit epidemik në komunën e Deçanit: Në dy mostrat e fecesit të dërguara më datën 15 korrik 2021, për testim në laboratoret jashtë Kosovës, janë detektuar Norovirus GI/GII, Enteropathogenic E.Coli (EPEC) dhe Enterotoxigenic E.Coli (ETEC).
Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjenëve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar. Për të gjitha informacionet dhe rezultatet laboratorike që do marrim, do të informojmë me kohë qytetarët”, thuhet në njoftim.