Një incident ka ndodhur në impiantin bërthamor të Natanzit në Iran. Organizata e Energjisë Atomike të vendit dënoi ashpër ngjarjen, duke e quajtur atë një “akt terrorist bërthamor”.
“Sulmi i sotëm tregon se armiqtë e avancimit të Iranit në shkencën bërthamore, si dhe negociatat bërthamore, janë të dëshpëruar për të kryer akte terroriste kundër teknologjisë bërthamore në Natanz”, deklaroi shefi i organizatës Akbar Salehi, për median shtetërore.
Salehi gjithashtu shtoi se, “Irani rezervon të drejtën të përgjigjet kundër autorëve dhe atyre që kryen aktin terrorist”.
Incidenti erdhi vetëm një ditë pasi qeveria tha se po niste më shumë se 150 centrifuga të reja për pasurimin e uraniumit në objektin nëntokësor.
“Për fat të mirë, incidenti nuk shkaktoi ndonjë lëndim”, tha Behrouz Kamalvand, një zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike.
Zyrtarë të tjerë iranianë sugjeruan që struktura e Natanzit mund të jetë sulmuar, duke spekuluar që impianti mund të jetë shënjestruar, ndërsa vendi diskuton rikthimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit me SHBA-në, të firmosur në 2015-ën, që u braktis nga Trump në vitin 2018.