Lirohen me kusht dy gazetaret të cilat u arrestuar nën akuzën se kanë nxitur dhunën shoqërore duke postuar në median sociale sulmet fetare kundër muslimanëve në rajonin Tripura në verilindje të Indisë, transmeton Kosova Post.
Avokati i gazetareve, Pijush Kanti Biswas tha se gjykata liroi dje me kusht dy gazetaret me arsyen se “ndalimi i tyre nuk është i nevojshëm, pasi do të përbënte shkelje të lirive personale të tyre”.
Gazetaret Samriddhi K. Sakunia dhe Swarna Jha, kishin bërë lajme lidhur me sulmet kundër muslimanëve në rajonin Tripura muajin e kaluar, shkruan AA.
Në lajmin e saj gazetarja Sakunia tha se ka vizituar xhaminë Chamtila në rajonin Panisagar dhe se xhamia është shkatërruar. Në një postim nga Twitteri më 13 nëntor ajo tha se “Policia e Tripuras ka refuzuar pretendimin duke thënë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Por, raporti që unë kam marrë nga terreni thotë të kundërtën”.
Më 14 nëntor Sakunia u arrestua në rajonin Assam me kërkesë të policisë së Tripuras.
Ndërsa policia kishte deklaruar se gazetaret janë arrestuar për “nxitje të shoqërisë duke publikuar në median sociale lajme të gabuara dhe të rreme”.
Arrestimi i dy gazetareve u dënua nga gazetarët dhe organizatat e të drejtave të njeriut të cilët pretenduan se liria e shtypit në Indi është nën sulm.
India e cila në vitet e fundit ka shënuar rënie në renditjen e Indeksit Botëror për Lirinë e Shtypit, në vitin 2020 u rendit në vendin e 142 në mesin 180 vendeve.