Rritja më e madhe e inflacionit në SHBA në 40 vitet e fundit po e godet rëndë vendin. Në Nju Jork, një metropol me gati 9 milionë banorë, është gjithnjë e më e vështirë të paguash qiranë dhe ushqimin.
Në maj të këtij viti, çmimet e ushqimeve në Nju Jork u rritën me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981. Kjo rritje u ngadalësua pak në qershor, por çmimet e ushqimeve në SHBA janë ende 9,1 përqind më të larta se një vit më parë.
Kjo është rritja më e madhe që nga viti 1981 e deri më sot dhe niveli më i lartë në 40 vitet e fundit. Inflacioni i lartë është pasojë e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit dhe të biznesit të shkaktuar nga vendosja e masave kundër pandemisë.
Numri i fëmijëve që vizitonin mensat publike të ushqimit në fillim të këtij viti ishte 55 përqind më i lartë se para shpalljes së pandemisë Corona – sipas informacioneve nga City Harvest, organizata më e madhe e rishpërndarjes së ushqimit në Nju Jork.
Gjatë masave kundër pandemisë, shumë organizata të tilla u krijuan në Nju Jork me synimin për të ndihmuar njerëzit e varfër. Sidoqoftë, subvencionet shtetërore për ta mbetën të njëjta – ato thjesht ndahen tani mes më shumë njerëzve. E me paratë që marrin, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta që të blejnë ushqim të mjaftueshëm, sepse çmimi i ushqimit vazhdon të rritet.
Maria Sintron, e cila punon në shpërndarjen e ushqimit në distriktin Bronx të Nju Jorkut, thotë se dërgesat e ushqimit në organizatën e saj janë bërë jo të besueshme dhe se po ndodh gjithnjë e më shumë që ushqimi që vjen duhet të hidhet sepse ka skaduar afati i përdorimit apo është prishur. Filluan të vinin edhe kuti me produkte kozmetike dhe ilaçe – në vend të perimeve.