Skepticizimi ndaj idesë së Ballkanit të Hapur shtohet pasi që kësaj iniciative kanë refuzuar t’i bashkohen Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ka iniciativa regjionale ku përfshihen të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor si Marrëveshja për Stabilizim Asociim, (MSA) me Evropën, Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA), procesi i Berlinit etj, ku iu është dhënë mundësia bashkëpunimit regjional që të avancohet dukshëm, paralel me kërkesat për integrim në Bashkimin Europian.
Shkruan: Nexhmedin ADEMI, Preshevë
Idea e “Ballkanit të Hapur”, e njohur më parë si (Zona e Minishengenit) është më e hershme. Ish kryeministri shqiptar, Fatos Nano është i pari i cili e ka iniciuar këtë ide në vitet e ‘90 – ta të shekullit të kaluar. Luftërat në ish – Jugosllavi dhe shpërbërja e saj e lanë jashtë vëmendjes këtë iniciativë. Në vitin 2018, sërish u riaktivizua ideja e “Ballkanit të Hapur”, pas përmirësimit të klimës politike në regjion e inicuar tashmë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Pavarësisht garimit të Ramës dhe Vuçiqit për bajraktaizmin rreth kësaj ideje, duket të jetë Fatso Nano nismëtari i kësaj ideje.
Stabilokracia para demokratizimit
Filozofia politike e idesë së Ballkanit të Hapur është një ide progresiste, e pranuar, por vetëm nëse do të realizohej në një hapësirë tjetër që nuk e ka emrin Ballkan, me tërë atë që e ka përshkruar në të kaluarën e largët dhe të afërt këtë regjion. Ballkani Perëndimor nuk i ka bindur autoritetet e Brukselit se i ka plotësuar kushtet për integrim në familjen e madhe të Bashkimit Europian. Lëvizja e lirë e qytetarëve, lehtësimi i procedurave për shkëmbime tregtare, memorandumi i bashkëpunimit për tregti të lirë, hapja ndaj tregut të punës, marrëveshja për bashëpunim në rast të fatkeqësive natyrore janë standarde gjithashtu qëkanë qenë të vendosura për integrim në Bashkimin Europian. Brukseli ka kohë që ka mbështet stabilokracinë në Ballkanin Perëndimorë para demokratizimit të tij. Stabilokracia para demokratizimit për të ruajtur një paqe të brishtë, ka toleruar fuqizimin e liderëve autokrat të cilët janë të njohur me lidhjet e tyre me krimin e organizuar, korrupsionin, shtetin e kapur, mediat dhe pushtetet e kontrolluara. Në këtë drejtim pagadishmëria e demokratizimit të Ballkanit Perëndimor ka forcuar estabilishmentin autokratik të shteteve të rajonit për fuqizim të pushtetit politik duke i rezervuar jetëgjatësi politike edhe një lideri tepër problematik me ide nazifashiste siç është Millorad Dodiku. Pikëpyetja që i shtohet kësaj iniciative është se ajo po aktualizohet vetëm pas dështimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Europian! Është e natyrshme të rritet skepticizmi ndaj iniciativave që synojnë të zëvendësojnë projektin e integrimit europian i kushtëzuar me standarde të demokracive liberale, me ide të reja regjionale, me protagonistë të cilët ende referencë të mbijetesës politike kanë nacional shovinizmin e kombinuar me kleronacionalizmin, i cili kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e regjionit. Prandaj Mini Shengeni i shndërruar në Ballkanin e Hapur është synim i integrimit të rajonit pa demokratizimin e tij, pa reforma demokratike të nevojshme për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor.
Improvizim politik
Skepticizimi ndaj idesë së Ballkanit të Hapur shtohet pasi që kësaj iniciative kanë refuzuar t’i bashkohen Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ka iniciativa regjionale ku përfshihen të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor si Marrëveshja për Stabilizim Asociim, (MSA) me Evropën, Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA), procesi i Berlinit etj, ku iu është dhënë mundësia bashkëpunimit regjional që të avancohet dukshëm, paralel me kërkesat për integrim në Bashkimin Europian. Devijimi nga iniciativat e përmendura ende te pakonsumuara në jetën politike, e ekonomike të regjionit, konsiderohen improvizime me konsekuenca të paparashikuara për regjionin. Ne kemi një situatë kur tensionet politike me Malin e Zi janë në rritje. Mosgatishmëria e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës qëndron. Kërcënimet nga Republika Serbe për disolucionin e Bosnje e Hercegovinës, janë zëra që Beogradi nuk i ka dënuar.Në një klimë të këtillë politike Ballkani i Hapur nga skeptikët shikohet si një tendencë e rigjallëruar në kushte dhe rrethana tjera për politika paternaliste me prirje për një hegjemonizëm të ri të Serbisë ndaj shteteve të regjionit. Kundërshtarët e kësaj ideje bëjnë thirrje të fuqishme që shtetet e Ballkanit Perëndimorë duhet të qëndrojnë fuqishëm prapa përpjekjeve për integrim politik, ekonomik e kulturor sipas agjendës integruese europiane dhe kultivimin e raporteve tejatlantike.
Lojë politike apo ekonomike
Për t’u përballur me kritikat që iu janë adresuar kësaj iniciative promovuesit e saj, Rama dhe Vuçiqi, në rend të parë e kanë nxjerrë sheshazi përfitimin ekonomik që do ta kenë vendet e rajonit në rast se e jetësojnë projektin në fjalë. Implikacionet politike dhe historike duhet të shmangen para një perspektive ekonomike që synon t’i ofrojë Ballkani i Hapur regjionit. Pavarësisht nevojës për shmangien e barrierave historike për bashkëpunimin e popujve dhe shteteve, diskursi politik i Serbisë ndaj Kosovës i veshur me narracione mitike e historike, i ushqyer nga nacionalizimi agresiv, bashkëpunimin rajonal në dukje si emancipim politik e bënë ende të pabesueshëm. Në pamje duket të jetë iniciativë ekonomike, por politikisht Serbia nga kjo iniciativë është përfituesi më i madh. Ajo tani edhe në emër të aleancave regjionale e getoizon Kosovën, krahas aktiviteteve diplomatike në nivel të forumeve ndërkombëtare për ta minuar sovranitetin e Kosovës. Arritjet në diplomacinë e jashtme shtetërore serbe maten me suksesin vazhdueshëm për ta penguar sigurimin e një ulëse të Kosovës në OKB, në sajë të diplomacisë agresive kundër subjektivitetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Në planin e përftimit ekonomik prapë Serbia është përfituesja më e madhe nga ideja e Ballkanit të Hapur. Ajo favorizohet në këtë drejtim për shkak të numrit të popullsisë, daljeve të munguara në bregdet, dhe GDP – ja më e lartë e saj për kokë banori se të gjitha shtetet tjera bashkërisht në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto nuk duhet të anashkalohen, sepse, është Serbia ajo që fuqizohet në aspektin ekonomik dhe politik edhe në të ardhmen.
Në planin moral prapë rezulton të jetë fituese Serbia. Iniciativa si kjo e rehabilitojnë skenën politike në Serbi, duke i dhënë mbështetje forcave politike me prirje ekstremiste e autoritariste të cilat nuk dëshirojnë të ballafaqohen me të kaluarën e ngarkuar me krime të luftës dhe distancim nga politikat të cilat kanë shkaktuar vuajtje, tmerre, internime dhe shkatërrime me përmasa të gjenocidit. Ndërsa në planin e zhvillimeve të brendshme politike ky rehabilitim politik i fituar nga iniciativa e Ballkanit të Hapur e dëmton rëndë opozitarizmin partive politike serbe në përpjekjet e tyre për ndryshime demokratike në shoqërinë serbe. Kur është fjala për demokratizimin e shteteve të Ballkanit Perëndimorë; ajo që vlen për Serbinë, vlen edhe për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën.
Se sa mund të jenë projektet politike regjionale produkt i emancipimit politik dhe qytetërues në Ballkan,tregues i qartë është edhe shkëndija provokuese që do të mund të nxitej nga vendimi për shugurimin e mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe Joanikije në Cetinje të Malit të Zi dhe vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve mes Kosovës e Serbisë.
Ballkanit i mjafton vetëm pak tension koti. Skenat e krimit dhe luftës janë larguar sa hap e mbyllë sytë, ende pa u zbuluar fati i të pagjeturve nga lufta e fundit!