Qerim Ondozi, një përkthyes i mirënjohur, në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen këtë të diele, iu është drejtuar me një mesazh të veçantë qytetarëve të Rahovecit, transmeton Kosova Post.
Ndër të tjera Ondozi iu ka thënë atyre se “Rahoveci e ka mundësinë e artë t’i jap fund një mendësie që e ka katandisur jo vetëm Rahovecin, por edhe Kosovën për këto 20 vjet.”
Ondozi radhitë argumentet se pse qyteti i Rahovecit ka ngecur në zhvillim, ndërsa i referohet dukurisë së përhapur tek të rinjtë, të cilët duan me çdo kusht të ikin nga vendi. Sipas tij, qyteti është vetë Kosova në miniaturë.
Për më shumë, lexojeni të plotë thirrjen e tij:
Të dashtun miq të Rahovecit,
Të djelen, më 17 tetor, po na ofrohet mundësia e shkëlqyer për të zgjedhë përfaqësuesit tanë dhe udhëheqësin e komunës sonë për 4 vitet në vazhdim.
Këto zgjedhje komunale dallojnë nga zgjedhjet e kaluara për shumë arsye të cilat do të përpiqem t’i përmend në vazhdim.
Zgjedhjet parlamentare të shkurtit të sivjetëm kanë përçuar një frymë të paparë të ndryshimit i cili për një kohë të gjatë nuk ka ndodhë në Kosovë. Dhe ky përbashkim nuk është gjë tjetër pos rrjedhojë e stërlodhjes nga pushtetet e kaluara interesash të ngushtë familjarë, fisnorë e biznesorë.
Zgjedhjet e shkurtit kanë qenë pikë e kthesës jo vetëm për një ndryshim të qeverisjes por edhe për një ndryshim të mendësisë politike në Kosovë, dhe kjo frymë është e nevojshme të vazhdojë dhe të përcillet edhe në nivel komunal, në nivel lokal.
Po e vështrove me vëmendje, Rahoveci është miniaturë e një Kosovë (të pazhvilluar).
Pse e them këtë? Sepse i ka të gjitha parametrat e një Kosove të deritanishme – në nivel lokal: me rininë që ëndërron të largohet nga aty qoftë edhe në ndonjë vend tjetër brenda Kosovës, me infrastrukturë të lënë pasdore, me projekte sa për sy e faqe që zgjasin me vite dhe nuk kryhen pothuajse kurrë, me një zell të paparë të banorëve për të punuar por me kompensim dëshpërues për atë zell, me një ndasi të panatyrshme fshat-qytet, e kështu me radhë.
Faj për këtë gjithsesi kanë pushtetet e deritanishme të cilat, o nuk kanë pasur vizion të qartë se si duhet të duket një komunë, o nuk ia kanë dashur të mirën komunës, o thjesht më shumë ia kanë dashur të mirën vetes (dhe klanit të vet) sesa banorit të Rahovecit.
Pushtetet e kaluara në Rahovec (megjithëse nën ombrella partish dhe akronimesh të ndryshme) nuk kanë dalluar fort nga njëri-tjetri në kuptimin e qeverisjes, dhe kjo shihet në rezultatin e atyre qeverisjeve të cilat këtë komunë (shembull të zellit, traditës e punës) e kanë shndërruar në zonën më të pazhvilluar në Kosovë – me gjithë pompozitetin e pushteteve që dilnin në maje të listave të “komunave transparente”, “llogaridhënëse”, e kështu me radhë.
Transparencën dhe llogaridhënien më së miri e vlerëson rahoveciani i cili e vuan atë “sukses” me konkurse të montuara, me favorizime klanore, me gërmadhën prej një qyteze aq të lezetshme…
Ka ardhë koha që Rahoveci vërtet të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie. Transparencë nga pushteti që do të vijë, dhe llogaridhënie nga ata që deri më tani e kanë katandisur këtë komunë deri në palcë, madje me krekosje.
Rahoveci e ka mundësinë e artë t’i jap fund një mendësie që e ka katandisur jo vetëm Rahovecin, por edhe Kosovën për këto 20 vjet dhe ta ndërrojë nepotizmin me meritokracinë, papunësinë me zellin, ngecjen me zhvillimin, krekosjen me krenarinë, dhe dëshpërimin me shpresën të cilën, urojmë, nuk do të lejojmë të na e vrasin më.
Rahoveci meriton më mirë. Shumë më mirë. Dhe ndryshimi është në dorën tonë.
Të djelen – të gjithë pranë kutive të votimit.