Intervistë me Selim Pacollin: Prishtina do të jetë një ‘MiniStamboll’ apo ‘Zvicër e Ballkanit’

Intervistë me Selim Pacollin: Prishtina do të jetë një ‘MiniStamboll’ apo ‘Zvicër e Ballkanit’

Në një intervistë ekskluzive për  “Kosova Post” kandidati i AKR -së për Kryetar të Prishtinës z. Selim Pacolli, ka shpalosur programin qeverisës për kryeqytetin e Kosovës, ndërsa premton se gjatë mandatit të tij Prishtina do të shndërrohet në një  “Qendër Metropoli Evropian”, ku qytetarët do të jenë krenarë me Prishtinën. Pacolli siguron se projektet e tij janë të realizueshme dhe se nën udhëheqjen e tij  Prishtina do të vizitohet më së shumti si vendi më atraktiv nga të gjitha kryeqendrat e Ballkanit perëndimor, SHBA- të, Evropa dhe Azia për të operuar në fushën e biznesit.  Sipas tij  Prishtina në një të ardhme të afërt e udhëhequr nga ai  do të jetë një “MiniStamboll”, apo një “Zvicër e Ballkanit” ku do të ofrohen mundësi atraktive të leverdishme për  kompanitë botërore të fushës së biznesit.

KosovaPost: Z.Selim Pacolli, ju jeni kandidat, i nominuar i AKR -së për të parin e Prishtinës. Cili ishte motivi kryesor, pasi që ju vini nga jeta e biznesit?

Selim Pacolli: Më lejoni të shprehi mendimin tim shumë të sinqertë, që dua t’ua bëj me dije të gjithë qytetarëve të Prishtinës, se i vetmi motiv apo qëllim i imi kryesor, është dhe mbetet që ta zhvillojmë Prishtinën në pamjen e saj arkitekturore dhe modernizimin e kryeqytetit. Pra, për ti dhënë shpirt Prishtinës. Siç e dini unë udhëtoj shumë, dhe vetëm një rast si shembull, po të shihet nga ajri, Prishtina nuk i ngjason një kryeqyteti të mirëfilltë. Sigurisht, kjo më dhembë, jo vetëm mua, por të gjithëve pa dallim. Prishtina ka të trashëguara shumë probleme, dhe sikur asnjëherë nuk iu është përkushtuar me seriozitet dhe vizion të qartë e planifikues për të ardhmen e Prishtinës. Kryeqyteti ynë, Prishtina gjatë mandatit tim do të nisë zhvillimin shumë dimensional dhe shumë funksional për ti dhënë kuptim mënyrës së konceptimit me një arkitekturë moderne dhe multifunksionale, si në një vend me kushte dhe atraktivitet, sikurse do të bëhet plotësisht evropian. Për këto qëllime, duke e dashur qytetin tim, jam vënë në shërbim të plotë, të jap gjithë forcën dhe përvojën time, duke u bazuar në arritjet e mia të menaxhimit të lartë, njëherësh, duke sjellë vizion të qartë afatgjatë në të mirën e qytetarëve të Prishtinës. Prishtina si kryeqytet i duhet fizionomi e re urbane dhe humane. Të mos harrohet, dhe duhet të thuhet se qeverisjet e më pashme nuk kanë treguar as minimumin e vizionit të tyre për ta shndërruar Prishtinën në një ambient të kërkuar dhe të përshtatshëm e atraktiv për jetë, punë dhe biznes të integruar ekonomik. Prishtina është qeverisur me logjikë të viteve të 50 –ta.

KosovaPost:  Z. Pacolli, Ju përmendët vullnetin, e po ashtu edhe gatishmërinë dhe eksperiencën tuaj, por a mund ti shpalosni disa nga projektet tuaja kryesore për Prishtinën?

Selim Pacolli: Me kënaqësi, më lejoni të jap vizionin tim, njëherësh të shpalosi konceptin tim, se si do të duhet ti epet shpirt dhe funksionalitet metropolitan Prishtinës në pika të shkurtra. Duke pasur parasysh se Prishtinës i ka munguar serioziteti, dinamika dhe efikasiteti, më lejoni ti jap disa orientime se si do të duhet dhe do të jam në gjendje në bazë të kapaciteteve të mia profesionale dhe eksperiencën në menaxhim dhe inxhiniering, do ti adresoj shumë shpejt dhe shumë më drejt problemet e tërësishme e posaçërisht zgjidhjet urbane që e ngërthejnë Kryeqytetin. Në planet dhe vizionin tim ju jap zgjidhje afatgjate për 50 vjet e ardhshme zgjidhje qytetarëve të Prishtinës dhe Kryeqytetin e Republikës së Kosovës do ta shndërroj në një “ Qendër Metropoli Evropian” ku qytetarët e Prishtinës do të jenë krenarë me Prishtinën dhe do të krijojmë hapësirë afirmative – ekonomike për qindra kompani dhe korporata që të operojnë dhe qëndrojnë të stacionuara me përfaqësitë e tyre ekonomike në Prishtinë.

Statistikat demografike dhe lëvizjet ekonomike flasin me të dhëna statistikore se Prishtina deri në vitin 2030 -2050 parashikohet ti ketë (1) një milion banorë rezident, prej tyre 70% vendor dhe 30% të huaj kryesisht  të akredituar me aktivitet ekonomik të Partneritetit të Konsulencës Ekonomike të Korporatave të Huja….. Pra, Projektet për ta ndryshuar dhe shndërruar Prishtinën ashtu sikurse e meritojnë qytetarët janë në vijim, si, Projekti dhe vizioni për rininë që përfshinë ndërtimin e “Qendrës Koorporative – Inovative të të Rinjve”. Poashtu, krijimi i kapaciteteve infrastrukturore për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike të partneritetit Publiko – Privat, kryesisht të aspekteve të Konsulencës Ekonomike të Korporatave të Huaja, përmes Qendrës Inovative për të Rinjtë, e cila do ta shndërronte Prishtinën në kryeqytetin më atraktiv të të bërit biznes në fushën e konsulencave koorporative. Siç e kam thënë edhe në këtë fillim të fushatës, do të themeloj (18) departamente, ku do të krijohen (3000 deri 5000) vende pune të menjëhershme nga të rinjtë në fushën e teknologjisë informatike, përmes krijimit dhe funksionalizimit të “Qendrës Korporatave Inovative e të Rinjve”, e cila do të jetë e vendosur tek Pallati i Medieve, i njohur për prishtinasit ish objekti i Rilindjes. Duke filluar nga nënshkrimet e kontratave për konsulencë me koorporatat dhe kompanitë me karakter global si: Google, Wiber; Twiter; Samsung; Nokia; Iphone; Apple mobile; WhatsApp; Programer Analyst and Sistem; Pay Pal  Easy- kompani blerjesh (online); Online banking Words;  Online Jobs Words;  Oil Marketing Jobs; Quality insurance Jobs; Innovation Project Manager; Innovation Health; New Industrial Revolution dhe Education Business Connections. Ky plan do të realizohet përmes a) Emërtimi të Plotë të Komapanive – koorporatave;b) Fusha e Biznesit;c) Shtrirja gjeografike;ç) Specifikat për Ballkanin Perëndimor; dhe d) përmes marrëveshjeve kontraktuale.

Ne sigurisht se garantojmë se do të arrijmë ta shndërrojmë Prishtinën në fokus të investimeve dhe të të interesuarve për të bërë biznes përmes “Qendrës Inovative për të Rinjtë”, e cila do ta shndërronte Prishtinën në kryeqytetin më atraktiv të të bërit biznes në fushën e konsulencave koorporative.

Kosovapost: Z. Pacolli, Ju keni përmend edhe dislokimin e objekteve qeveritare, cili është konkretisht ky plan dhe benifitet e tij?

Selim Pacolli: Po, plani për dislokimin e objekteve shtetërore – qeveritare, siç është Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria në një hapësirë të re, e cila do të ishte e dizajnuar dhe projektuar enkas për të paraqitur pamje të re të kryeqytetit me objektet rezidenciale dhe reprezentative shtetërore. Ky Projekt do të realizohet në një afat tre vjeçar dhe do të kishim një paraqitje shumë më serioze edhe si shtet, e edhe si Kryeqytet. Efektet do të ishin të shumë anshme, nga ajo do të ndodhte dukja shtetërore, fizionomia e re e kryeqytetit dhe komoditeti modern i Prishtinës. Në programin tim qeverisës gjithashtu janë edhe projekte të tjera po aq vitale dhe të realizueshme, ku po i përmendi disa prej tyre, ndër to përfundimi brenda (1) viti komplet i infrastrukturës nëntokësore, tokësore dhe mbitokësore, zbatimi i ligjit për Prishtinën me theks të veçantë përfitimi nga buxheti i këtij ligji për nevojat e Prishtinës, përfundimi i të gjitha shkollave, çerdheve dhe qendrave të Mjekësisë Familjare. Dua të potencoj se në programin tim qeverisës hyn edhe Projekti kryesor i ashtuquajturi  “Master Plani i ri”,  5 vjeçar për Prishtinën  Evropiane, që përfshinë krijimin e kapaciteteve të plota akomoduese – infrastrukturore për ushtrimin e aktivitetve ekonomike të Partneritetit të Konsulencës Ekonomike të Korporatave, planifikimi dhe krijimin e Zonës së Ndërtimeve të Larta, planifikimi i zonave të lira ekonomike,Planifikimi dhe ndërtimin e rrugëve nga katër korsi në gjashtë dhe “Unazës së Madhe” me lidhjet kyçe urbane infrastrukturore, krijimin e hapësirave të reja publike përfshi “Sheshin e Madh të Prishtinës”, krijimin e zonave turistike rurale, ku përfshihet  “Zhvillimi i Parkut Gërmia” pikave të reja turistike si në Malësinë e Gollakut, sikur edhe investime në projekte pitoreske si në “Mramor”,  “Marec” etj, vende këto atraktive turistike dhe përfshirjen e tyre në “Atllasin Turistik” të vendeve për shfrytëzim të turizmit në të gjitha agjesitë Turistike Evropiane dhe Botërore, përfshi këtu edhe trashëgimin kulturore të Prishtinës së vjetër.

KosovaPost: Ju sapo keni bërë prezantimin e projektit ‘gjigant’ për një Prishtinë metropolitane, të cilin do ta përfundoni deri në vitin 2020. Përmendni ju lutem disa nga pikat më të rëndësishme?

Selim Pacolli: Projekti në fjalë është shumë dimesional dhe shumë funksional duke paraparë zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës në periferi të qytetit. Ky plan parasheh zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës nga qendra e Prishtinës tek Pallati i Drejtësisë’ në një sipërfaqe prej 42 hektarë, ku janë paraparë për ndërtimin e Kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina” me objektet tjera përcjellëse ku hyjnë edhe konviktet për 10 mijë studentë. Kostoja e këtij projekti arrin vlerën prej 143 milon euro. Ne e shpalosëm projektin e konkretizuar në detaje, projekt modern i cili Prishtinën do ta kthejë në qendër metropolitane. Ndërtimi i Qendrës më të madhe koncertale, kushtuar artistëve prishtinas. Një universitet prej 200 mijë metra katrorë t’ju ofronte studentëve të Prishtinës kushte më komode, me hapësira rekreative sportive universitare. Hapësira aktuale e UP-së do të shndërrohet në qendër të Prishtinës dhe si e tillë do të ishte një hapësirë e lirë për të gjithë, me 6,000 vende të reja parkimi. Projekti tjetër është ndërtimi i stadiuimit të Prishtinës, i cili do t’i plotësonte kriteret ndërkombëtare. Plani im është shumë konkret. Kjo është edhe një dëshmi më shumë se Prishtina ka nevojë për një menaxher me vizion afatgjatë për kryeqytetin, në vend të politikanëve që vetëm flasin. Në planin e tim multifunksional për Prishtinën nuk janë anashkaluar as edhe pensionistët, për të cilët kemi paraparë qendrën pensionale ku pensionistët do të kenë shërbime 24 orëshe, pa i harruar përmirësimin e kushteve për mediet, ku do ta kenë qendrën, gjegjësisht Kullën mediale në qendër të Prishtinës. Ndër të tjera objekte të integruara që janë planifikuar të ndërtohen në kuadër të sheshit është edhe ndërtimi një kulti mulimanë në qendër të Prishtinës, derisa në fshatin Bërnicë do ta nisim ndërtimin e Stadiumit të Prishtinës i cili është ndër prioritete e vitit të parë të udhëheqjes sime në Prishtinë. Ky stadium do të ketë kosto financiare prej 60 milion euro dhe do të jetë me standarde të avancuara ndërkombëtare.

KosovaPost: Z. Pacolli pyetja e fundit edhe njëherë, a mund të na shpalosni tri arsye kryesore, pse i duhet ky shesh i ri Prishtinës?

Selim Pacolli: Më lejoni t’iu jap, jo tri, por dhjet (10) arsyet pse Prishtinës i duhet “Sheshi pa Mure 2020”. E para  Sheshi multifunksional është në dobi të qytetarëve, Sheshi i hapë perspektivë moderne Prishtinës, Sheshi që i duhet kryeqytetit dhe lëvizë, merr frymë 24 orë, integron arkitekturën urbane me objekte të reja unike, Sheshi që piktakon tri objektet fetare – civilizimet, Sheshi që riorganizon jetën kulturore metropolitane, Sheshi “pa mure”, hapësirë unike në Ballkan,shesh që  tregon shpirtin e madh të kosovarëve, që rritë vlerat turistike, Sheshi i kryeqytetit, krenari e shtetit. Po e ritheksoj prapë se kryeqytetin e Republikës së Kosovës do ta shndërrojmë në një “Qendër Metropoli Evropian” ku qytetarët e Prishtinës do të jenë krenarë me Prishtinën dhe do të krijojmë hapësirë afirmative – ekonomike më të vizituarën rajon. Poashtu, unë siguroj se Prishtina do të vizitohet më së shumti si vendi më atraktiv  nga të gjitha kryeqendrat e Ballkanit perëndimor, ShBA- t, Evropa dhe Azia për të operuar në fushën e biznesit. Ne do të jemi një “MiniStamboll”, apo një “Zvicër e Ballkanit” për ofrimin dhe atraktivitetin e kompanive botërore të të bërit biznes

Prandaj, jo rastësisht e vejë theksin edhe e artikuloj shprehjen vazhdimisht se PRISHTINËS I DUHET NJË MENAXHER, JO NJË POLITIKAN!. Dhe krejt në fund, me këto projekte dhe vizinionin tim për kryeqytetin e Kosovës, unë brenda pak kohe sigurojë se do ti hapim mbi (20) mijë vende të reja pune  të menjëhershme në fushën e infrastrukturës dhe të ndërtimeve dhe pas tyre do të krijojmë kushte akomuduese edhe për 50.000 vende pune të reja, të përhershme në Prishtinë. Poashtu buxhetin e Komunës së Prishtinës do ta katërfishojë në mbi 400 milion euro. Prandaj i ftoj qytetarët e Prishtinës që duke u vënë në shërbim të tyre, të votojnë Menaxher për Prishtinën, jo Politikan./KosovaPost/

 

You may also like

Hoti: Prishtina do të udhëhiqet nga LDK-ja, të presim rezultatin final

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka