Besa Ismaili, ish deputete e PDK-së (Partia Demokratike e Kosovës), ka reaguar për rastin e profesorit, përkatësisht deputetit Ardian Kastrati, postimi i para disa ditëve i të cilit, ka trazuar opinionin publik në Kosovë, shkruan Kosova Post.
I cilësuar si përçmues e seksist, postimi i Kastratit nxiti një valë reagimesh, e për rrjedhojë edhe një protestë para rektoratit të Universitetit ‘Hasan Prishtina’, në Prishtinë.
Pas një vale reagimesh, edhe rektorati i universitetit u “distancua dhe e dënoi gjuhën” e profesorit Kastrati, si dhe u zotua se rasti do të shqyrtohet më tej, seriozisht. Këto zhvillime duket që e kanë shtyrë edhe Ismailin të shpreh qëndrimin e saj. Ajo e ka kritikuar UP-në, duke thënë se i është dorëzuar presionit të parapolitikës.
“Masa, në përbërje lara-lara ka marrë hov në kërkim të kurbanëve të pushtetit” – ka shkruar ndër të tjera ajo, duke paralajmëruar se, ditëve në vijim do të shohim se si edhe bordet do të zëvendësohen me njerëz të partisë.
Ky është postimi i plotë i saj:
“Kosova, shtet i trembur
Shoqëria kosovare ende bartë plagë nga e kaluara e saj, një e kaluar që kujton masakra, dhunime dhe shkatërrim të pasurisë. Ende nuk janë shëruar plagët!
Liria për të cilën sakrifikuan shumë breza qe përmbushur më pavarësinë dhe pikërisht shumë breza që sakrifikuan për lirinë, sakrifikojnë ende edhe pas mëvetësisë.
Sot dhe gjatë gjithë kohës së shtetndërtimit, shoqëria jonë përballet më një polarizim të skajshëm, ku gjuhët politike të pushtetit, dikur në opozitë, tani në detyrë, janë skajshmërisht gjuhë dhune dhe linçimi ndaj kujtdo që mendon ndryshe.
E kuptoj bukur mirë mbështetjen dhe parametrat e një pjesë të shoqërisë e cila i përkahë këtë gjuhë, madje është jetësuese e saj. Jemi në demokraci. Por duhet kuptuar një gjë, që demokracia ka shumë anë, njëkohësisht shumë taborre, grupe njerëzish që përfaqësojnë bindje të ndryshme poltike.
Turr i papërmbajtur i masave dhe disa eksponentëve akademik që mbështesin direkt apo tërthorazi pushtetin për çdo vendim dhe veprim politik. Edhe një heshtje dhe relativizim erdhi për krimin brenda. Gjithçka arsyetohet kur fjala është për ata që janë në pushtet tani. Më shqetësuese sesa heshtja është trysnia për të heshtur. Trysnia mbi opozitën, mendimin ndryshe.
Ditë e bardhë për demokracinë, si mund të jetë dita kur opozita në atë demokraci as nënshkrimet për një seancë të jashtzakonshme nuk do ti ketë? Asnjë amandament nuk do të mund ta kaloj? Kur bordet do të votohen nga njerëz të një partie për të ushtruar kontroll-balance mbi agjenci e organizata? A paska qenë problem “kapja” e shtetit apo ndërrimi i kapëseve me kapësa të kuq?
Akademia e Kosovës, nuk ka një deklaratë të vetme. Ndërsa universiteti lëshon një deklaratë rrufe ndaj një profesori nën presionin parapolitik të një “puppet shoë” të pushtetit para rektoratit, por nuk është mobilizuar asnjëherë që efektshëm të adresojë dukuritë e shëmtuara brenda saj nga të cilat lëngon kohë të gjatë tashmë.
Masa, në përbërje lara-lara ka marrë hov në kërkim të kurbanëve të pushtetit. Për t’i hyrë në huj pushtetit. Akoma nuk kemi parë asgjë.”/KosovaPost/