Medreseja “Alauddin” sot shënon 70-vjetorin e themelimit, ku pritet të marr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Në lidhje me këtë, ka qenë i ftuar në “Sytë Shtatë”, ish-drejtori i Medresesë “Alauddin”, Jakup Çunaku ku ka folur për themelimin dhe rendësin historike që ka pas dhe vazhdon ta ketë.
Çunaku theksoi se në fillimet e themelimit ka qenë shumë i vështirë për shkak të rrethanave politike që kanë qenë në atë kohë.
“Vet 70 vjetori të jep të kuptosh që janë shtatë dekada jetë të një institucioni arsimor-fetar islam në Kosovë. Dhe nëse dëshirojmë që të kthehemi paska në retrospektive e vërejmë ato momentet, rrethanat kushtet kur ka filluar punën ka qenë jashtëzakonisht shumë të rënda për popullin shqiptar, si në aspektin politik, social, ekonomik, pse jo edhe fetar, kur vendimet që janë marrë në atë kohë, ka qenë pas një periudhe kur të gjitha medresetë të cilat kanë pasur një traditë shekullore, janë mbyllur nga pushteti i asaj kohe, por prapë prijësit fetarë kanë marrë guximin edhe pse jo në rrethana shumë të lehta për me i bo kërkesat për të filluar medresenë një shkollë që do të jap kontribut në edukimin arsimimin dhe nxjerrjen e kuadrove fetare”, u shpreh Çunaku
“Në vitin 1949 është miratuar kërkesa brenda parlamentit ose kuvendit krahinor të asaj kohe, dhe në rrethana të pamundësisë financiare dhe kuadrove është vonuar prolonguar implementimi i këtij vendimi, dhe tek në nëntor të vitit 1951, ka filluar punën si medrese e ulët në atë kohë e quajtur si medrese “Alauddin”, dhe ka qenë e para medrese në gjuhën shqipe, dhe e vetmja në Kosovë dhe në Shqipëri”.
“Në atë kohë nxënësit kanë ardhur nga të gjitha viset shqiptare që kanë qenë brenda Jugosllavisë, por edhe ka qenë një numër i madh edhe nga Sanxhaku, nga Novi Pazari”.
Në fund, Çunaku theksoi edhe kontributin që ka dhënë medreseja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Medreseja ka bërë edhe një kontribut të madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, jo më pak se me 36 medresistë, të cilët kanë qenë të radhitur brenda UÇK-së, por edhe kanë dhënë atë më të shtrenjtën e tyre, e që është jetën, dhe sot janë dëshmor”.