Ish-ministri thotë se Kosova po rrezikon të humbë miliona euro

Ish-ministri thotë se Kosova po rrezikon të humbë miliona euro

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, po e cilëson si tejet të dëmshme dhe të rrezikshme tërheqjen e Bankës Botërore nga financimi i ndërtimit të termocentralit të ri të Kosovës, “Kosova e Re”.

Hasani që kishte qenë edhe anëtar i komiteti ndërqeveritarin për “Kosovën e Re”, po e konsideron si të rrezikshme tërheqjen Bankës Botërore nga financimi i termocentralit të ri.

Thotë se në bazë të marrëveshjes me “Contour Global”, nëse për çfarëdo arsyeja dështon ndërtimi i këtij projekti, Kosova do të jetë e obliguar t’i pagua 20 milionë euro “Contour Global”.

“Tërheqja e Bankës Botërore nga financimi është lajm i keq. Kosova obligohet që të paguajë afro 20 milionë euro penallti ndaj Contour Global. Ashtu siç është marrëveshja. Nëse për çfarëdo arsye dështon projekti, Kosova obligohet të paguajë penallti”, ka deklaruar Hasani për Insajderin.

Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim dy ditë më parë tha se termocentrali me qymyr “Kosova e Re” nuk mund të garojë me çmimin e energjisë së ripërtërishme.

Tha se Banka Botërore ka tërhequr mbështetjen për ndërtimin e termocentralit të ri.
“Për Ballkanin, po, ne kemi marrë një vendim shumë të vendosur për të mos shkuar përpara me termocentralin me thëngjill”, kishte deklaruar ai.