Italia ka ngrirë një vilë luksoze në ishullin e Sardenjës, duke theksuar se ajo i përket ish-pilotit rus të Formula 1, Nikita Mazepin dhe babait të tij oligark, Dmitry Mazepin, të dy të sanksionuar nga Bashkimi Evropian (BE), transmeton KosovaPost.
Policia italiane e krimeve financiare njoftoi se prona bregdetare ‘Costa Smeralda’ në zonën eksluzive verilindore të Sardenjës, një zonë që për shumë kohë njihet si magnet për milionerët dhe miliarderët, kap vlerën e 105 milionë eurove dhe ishte në pronësi të Mazepinëve përmes një “mjeti të huaj të korporatës”.
Nikita dhe babai i tij, i cili është pronar dhe shef ekzekutiv i gjigantit kimik ‘Uralchem’, u shtuan në listën e e BE-së të individëve rusë të sanksionuar muajin e kaluar, pasi blloku evropian zgjeroi masat kundër elitës ruse në përgjigje të luftës së Moskës në Ukrainë.
Gjithashtu në muajin mars si reagim ndaj sulmit rus, Mazepin u shkarkua nga ekipi amerikan ‘Haas’ i Formula 1, për të cilin ai garoi në vitin 2021. Në atë kohë, ai e quajti këtë masë një “hap të njëanshëm që injoroi plotësisht” gatishmërinë e tij për të garuar nën një flamur neutral.
Streha e Mazepinëve në ishullin e Sardenjës, e quajtur ‘Capo Capaccia’, një nga këndet më piktoreske të zonës ‘Costa Smeralda’, më parë ishte në pronësi të manjatit të medias së majtë italiane dhe industrialistit Carlo De Benedetti.
Me masën e fundit, deri më tani autoritetet italiane kanë ngrirë pothuajse 1 miliard euro në asete të lidhura me oligarkët rusë të sanksionuar, përfshirë vila, jahte dhe prona private./AA