Forcat izraelite rrënuan 2 shtëpi në pronësi të palestinezëve në Kudsin Lindor, transmeton Kosova Post.
Ekipet rrënuan një shtëpi në zonën e kampit të refugjatëve Shuafat në veri të Kudsit Lindor. Objekti në pronësi të familjes Abu Mayala u shkatërrua nga Komuna e Kudsit me pretekstin se ishte ndërtuar pa leje.
Një tjetër shtëpi u rrënua në lagjen Ras Khamis të Kudsit Lindor, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa. Një i ri palestinez që protestonte kundër këtij veprimi gjithashtu u arrestua.
Palestinezët, si dhe disa grupe ndërkombëtare për të drejtat, akuzojnë Komunën e Kudsit për pengimin e qëllimshëm të ndërtimit nga palestinezët që kur Izraeli pushtoi Kudsin Lindor në vitin 1967.
Grupet e të drejtave kanë theksuar se kolonët izraelitë, nga ana tjetër, marrin me lehtësi lejet për të ndërtuar njësi banimi vetëm hebreje në tokat e pushtuara palestineze në qytet.
Forcat izraelite kanë shkatërruar mbi 5.000 shtëpi në Kudsin Lindor që nga viti 1967, sipas burimeve palestineze.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite në vitin 1967 në një lëvizje e cila kurrë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare, aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, duke pretenduar atë si kryeqytetin “e përjetshëm dhe të pandarë” të shtetit të vetëshpallur hebre.
Kudsi mbetet në qendër të mosmarrëveshjeve për Lindjen e Mesme me dekada, ku palestinezët shpresojnë që Kudsi Lindor një ditë mund të bëhet si kryeqyteti i shtetit palestinez. (AA)