Drejtori i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, Xhevat Jakupi, ka treguar se rreth 90 % të mostrave në këtë laborator kanë rezultuar se janë të variantit Delta.
“Të dhënat e fundit nga Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK tregojnë se diku 80 deri 90 % të izolateve të fundit të SARS-CoV-2 janë të variantit Delta. Para tre ose katër muajsh varianti Alfa ose ai britanik ishte në afër 98 % të rasteve i izoluar, derisa tash ky variant është vetëm deri në 7-8 % të izolateve, kurse nuk gjejmë izolate të variantit Beta dhe Gama ose atij të Afrikës së Jugut dhe Brazilian. Situata sa i përket varianteve ka ndryshuar duke qenë mbizotërues varianti Delta në javët e fundit”.
“Varianti Delta përhapet shumë më shpejt dhe duke u përhapur më shpejt nënkupton që prek më shumë njerëz dhe sa më shumë njerëz të prekur me infeksion do të thotë se një pjesë e tyre do të kenë nevojë për hospitalizim çka do ta rrisë barrën në spitale dhe do të ndikojë që të kemi më shumë pacientë që kërkojnë trajtim në spitalet e Kosovës”.
Jakupi, në konferencë të përbashkët me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.
“Nuk duhet të ketë asnjë individ mbi moshën 50 vjeçare që nuk është vaksinuar me së paku një dozë ose më së miri me të dyja dozat, sepse është vërejtur që vaksinimi kryen punë edhe ndaj variantit Delta. Sipas informatave të fundit 99 % e vdekjeve në SHBA janë njerëz që nuk janë vaksinuar çka do të thotë se zgjidhja e vetme është vaksinimi”.kk