Drejtuesit e Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës kanë mbajtur sot një konferencë për medie, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të anëtarëve, në lidhje me shtrëngimin e paralajmëruar të masave anti-Covid, që prekin sidomos sektorin e gastronomisë, shkruan Kosova Post.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi deklaroi se pas paralajmërimit për masa të reja anticovid ne kemi vendosur ta bëjmë një mbledhje emergjente për kundërshtimin e këtyre masave.
“Rastet e fundit , numri i rritur është faji i qeverisë, jo i gastronomisë sepse gastronomët janë ata të cilët në fund po paguajnë” tha Kllokoqi.
Tutje ai shtoi se këto raste janë ngritur për shkak të tubimeve të partive politike dhe e dime se vetëm në komunën e Prishtinës janë 40 mijë euro dënime të partive politike dhe janë falje kështuqë mendoj që këto falje duhet të ndodhin edhe ndaj gastronomëve.
“Të hënën në ora 14:00 do të organizojmë një portestë dhe marshi do të nisë prej sheshit “Zahir Pajaziti deri te qeveria. Ne do ti kundërshtojmë masat dhe do kërkojmë hapje totale dhe nëse nuk do të kemi një lajm pozitiv pas kësaj proteste ne do të vazhdojmë ende duke protestuar dhe nuk do ti pranojmë masat” tha ai.