Kryetari i qytetit Sanjo (Sanyo) në Japoni, Ryo Takizawa, e mbushi zyrën e tij me flamuj të Republikës së Kosovës.
Ky veprim që u bë lajm viral erdhi pasi që Kosova, më saktësisht ekipi i saj në xhudo, kishte paraqitje brilante në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
“Unë u intervistova nga disa media dhe me pyetën se cilin vend ke dëshirë ta prezantoni dhe unë u përgjigja me besim të madh se kjo do të jetë Kosova më parë se Japonia. Pastaj ekipi i Kosovës fitoi dy medalje të arta, prandaj unë vendosa flamurin e shtetit tuaj gjithandej zyrës sime për të festuar këto rezultate të mëdha”, tha Takizawa në një intervistë për Klan Kosova.
Ai tregoi se sikurse sivjet, edhe vitet paraprake kur kishte organizime të mëdha sportive sikur rasti i Kampionatit Botëror të Xhudos 2019, qyteti i tij ishte vendi pritës për xhudistët e xhudistet kosovare. Japonia është vendi ku ka lindur sporti i xhudos.
“Kjo fitore bëri japonezët që të mësojnë me të madhe për Kosovën. Kjo është mundësi e jashtëzakonshme për vendin tuaj. Japonia është vendi i origjinës së sportit të xhudos, kështu që shumë njerëz në Japoni presin që ekipi i tyre të fitojë medaljet e arta në këtë sport, sidomos në këto Lojëra Olimpike. Disa njerëz janë të mërzitur, por të tjerët përfshirë mua jemi shumë të lumtur për rezultatet e Kosovës”, shtoi ai nga zyra e tij e stolisur me flamuj të Kosovës.
Kosova me sportistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fitoi dy medalje të arta në sportin e xhudos në Olimpiadën “Tokyo 2020”.