Tash e disa ditë nëpër media ka qarkulluar një draft dokument, sipas të cilit janë përfshirë shumë kategori, duke përmendur edhe mësimdhënësit përveç policëve si dhe mjekëve, lidhur me koeficientin e pagave në bazë të profesioneve, draft ky i cili po kundërshtohet nga Sindikata e Arsimit si dhe ajo e mjekëve, shkruan KosovaPost.
Por, një draft të tillë e mohoi Kryeministri Kurti ditë më parë, sipas të cilit ende nuk ka draft final të Ligjit të pagave
Ditë më parë Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës porsa e kishte parë në media Ligjin e pagave, i cili ende nuk është konfirmuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si final, ai kishte paralajmëruar grevë.
Megjithatë, ndryshe mendon sot Jasharaj i cili tha për KosovaPost se SBASHK është duke e pritur versionin final të draft Ligjit të pagave, duke përmendur se SBASHK nuk është duke u ngutur me grevë, ku nëse veç do të ketë një draft të tillë i cili ka qarkulluar nëpër media, ai ka vlerësuar se një draft i tillë është i papranueshëm.
“Jo, SBASHK-u nuk po ngutet, por është duke paralajmëruar me kohë Qeverinë se versioni i Draft Ligjit të pagave që po qarkullon tani është i papranueshëm dhe se ne po angazhohemi që i tërë sistemi arsimor, që nga çerdhet e deri në Universitete të ketë vend meritor në Ligjin e ri të pagave. Ne po presim versionin, gjegjësisht propozimin final të Qeverisë e pastaj do ta analizojmë me kujdes dhe do të deklarohemi për të. Urojmë që ai version të jetë i punuar si duhet dhe që i tërë sistemi arsimor të ketë vend meritor në të”, tha Jasharaj për KosovaPost.
Tutje, Jasharaj vlerëson se ndarja e koeficientëve ndërmjet mësimdhënësve, të cilët janë e punojnë në arsimin fillor (1-5) dhe atyre që punojnë në arsimin e mesëm të ulë t (6- 9) është e papranueshme.
“Në Ligjin e kaluar të pagave që Kushtetuesja e ktheu në pikën zero, Ministria e Arsimit atëherë kishte bërë, me apo pa qëllim, një dalim në koeficient mes mësimdhënësve, që punojnë në arsimin fillor (1-5) dhe atyre që punojnë në arsimin e mesëm të ulët (6- 9).
SBASHK ka insistuar në çdo takim me institucionet, pra edhe në takimin me Ministrin Sveçla dhe Ministren Nagavci, që të ngritet koeficienti i mësuesve dhe të barazohet me koeficientin e mësimdhënësve lëndor. Ne do të insistojmë që kjo të ndodhë. “, vlerëson ai.
Për Jasharin një grevë mundet të jetë edhe e përgjithshme nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i plotëson kërkesat e tyre, e që njëra nga këto që është përmendur vazhdimisht ka qenë një rritje e pagës në minimum prej 100 eurosh.
Megjithatë, kryetari i SBASHK-ut përmendi se greva do të fillojë në prill, me 2 prill, ku do të merret vendimi në kongres, siç thotë ai, për të vazhduar ose jo me grevë të përgjithshme, deri në plotësimin e kërkesave.
“Nëse kërkesat tona legjitime e të argumentuara nuk i realizon Qeveria, atëherë në Kongresin e SBASHK-ut më 2 prill, do të analizohet situata e tërësishme dhe do të merren vendime edhe për veprime sindikale. Nëse Kongresi, në të cilin janë delegatë e përfaqësues të tërë sistemit arsimor, të shkencës dhe kulturës, vendosin për të nisur me grevë të përgjithshme, atëherë greva vazhdon deri në momentin kur Qeveria plotëson kërkesat.”, u shpreh për KosovaPost Jasharaj.
Ndër të tjerash, Rrahman Jasharaj theksoi rëndësinë e shumës buxhetore, të cilën e ka ndarë Qeveria e Kosovës për Ligjin e pagave, duke thënë se nëse nuk ka ndarje buxhetore për këtë Ligj, i cili është shumë i rëndësishëm, atëeherë nuk ka as implementim të njëjtit ligj.
Përveç grevës së përgjithshme, e cila është parë nga shumëkush si kërcënim nga SBASHK për Qeverinë, do të ketë edhe një protestë në fillimin e muajit mars. Këtë e konfirmoi vetë Jasharaj i cili tha se në këtë protestë, të cilën e konsideron paralajmërim para grevës së përgjithshme do të jenë prezent edhe nga Këshilli i prindërve.
“Ne gjithmonë angazhohemi që të kemi bashkëpunim korrekt me Këshilin e prindërve dhe në se do ta organizojmë një protestë në pjesë e parë të marsit, si paralajmërim të fundit, para grevës së përgjithshme, do t’i thërrasim edhe Këshillat e prindërve të jenë me ne në protestë . SBASHK për angazhimet dhe veprimet vendos vetëm duke u bazuar në kërkesat dhe zërin e anëtarësisë sonë. Të tjerët, pra institucionet dhe të tjerët mund të shprehin vlerësimet dhe mendimet e tyre, por ne dëgjojmë vetëm zërin e anëtarësisë sonë dhe veprojmë sipas këtij zëri.”, përmendi Jasharaj.
Jo rrallë herë ka patur ‘përplasje’ ndërmjet Kurtit dhe Jasharajt, lidhur me trajtimin e këtij Ligji të pagave, ligj ky i cili për mësimdhënësit konsiderohet të jetë jetik, ku Jasharaj theksoi përsëri se sipas tij, qasja e Qeverisë Kurti ndaj sindikatave është e gabuar, veç të tjerash Jasharaj deklaroi se Qeveria dhe ministrat e Qeverisë Kurti po iu ikin takimeve me pjestarë të sindikatave.
“Personalisht unë mendoj se Qeveria Kurti ka qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe vazhdimisht, edhe ai, por edhe ca nga Ministrat e Qeverisë së tij, i ikin takimeve e dialogut me sindikatat. Kjo është qasje e gabuar dhe duhet ndryshuar. Sindikatat janë zëri i anëtarësisë dhe ky zë duhet dëgjuar e respektuar. Kur nuk ka takime e dialog ka veprime sindikale, pra edhe greva.”, përfundoi Rrahman Jasharaj për KosovaPost.
Vlen të përmendet se Ligji i pagave është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në mars. Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën./KosovaPost./