Jo normalizimi i pushtetit normalizohet përmes zgjedhjeve

Jo normalizimi i pushtetit normalizohet përmes zgjedhjeve

Shkruan: Abdullah Klinaku

Kosova ka hyrë në kriza të njëpasnjëshme politike, diplomatike, ekonomike por edhe sociale. Pushteti i instaluar pas zgjedhjeve qendrore të vitit 2017, nuk u dha zgjidhje asnjërit prej këtyre problemeve dhe sfidave me të cilat po ballafaqohet vendi ynë. Madje, po thuajse çdo njërën prej tyre veçse e thelloi edhe më shumë.

Kjo qeveri përveç që nuk përmbushi pritjet dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës, definitivisht është qeveria më e paaftë për menaxhimin e vet-vetes dhe stabilitetit politik të saj, në mungesë të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka mbështetjen e vetëm 53 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Qeveri që mbahet nga pakica dhe nga neglizhimi i opozitës, për shkak të jo stabilitetit të brendshëm partiak të partive opozitare. Ky numër i deputetëve është shumë i mundur të bie edhe më tutje kur dihet ndikimi i madh i presidentit turk te partia turke e Kosovës e cila është pjesë e qeverisë. Si rezultat i veprimeve të çorganizuara të institucioneve të Kosovës u shpërfaq edhe mos pajtimi diplomatik me Turqinë.

Gjë që thirrja e Presidentit Erdogan, për reflektim nga kryeministri i Kosovës, mund të përcillet me dorëheqjen e partisë turke nga qeveria e Kosovës. Krejt kjo e bënë edhe më bindëse situatën e rënduar politike kur dihet mirëfilli edhe dështimi i shumë mbledhjeve të Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Përpjekja për të vazhduar një qeveri jo normale çdo ditë e më shumë po e bënë vendin tonë jo normal, situatën tonë jo normale dhe po krijohet çdo ditë e më shumë politikë jo normale.

Qeveria aktuale, fatkeqësisht jo që nuk i shtyri para projektet politike por shkaktoi regres, duke filluar me përjashtimin e institucioneve tona nga organizma ndërkombëtar, siç ishte rasti i përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës dhe mos anëtarësimi në asnjë organizëm ndërkombëtar gjatë kësaj kohe.

Gjendja aktuale është jo normale në arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale, diplomaci ku mezi kemi fituar një njohje, dështim në procesin e integrimeve evropiane, dështim në integrime mbarë-kombëtare ku si rezultat i mbledhjeve formale për reklamime e jo përmbajtësore midis dy qeverive shqiptare ballafaqohemi me taksën më të lartë për shfrytëzimin e rrugës së kombit.

Në fund, përveç një dështimi total në të gjitha segmentet, hymë edhe në mos pajtime diplomatike me republikën turke. Një aleat strategjik, i fuqishëm dhe besnik i interesave tona shtetërore dhe kombëtare. Madje ky mospajtim diplomatik me republikën turke shpërfaqi krizën e thellë që kanë institucionet tona në bashkëpunim dhe koordinim me njëra-tjetrën.

Shpërfaqi mos aftësinë tonë të funksionimit si shtet normal, si pushtet normal dhe si njerëz që marrim përgjegjësi në institucionet tona. Shpërfaqi mendësinë tonë provinciale edhe në menaxhimin institucional. Mendësi që i tronditi raportet me republikën turke edhe pse jam shumë i bindur që miqësia midis dy popujve tonë nuk varet nga llapsuzet e një pushteti jo normal.

Ky jo normalizim mund t’i kthehet normalitetit vetëm përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme më së largu në vjeshtën e këtij viti. Zgjedhje që janë mundësi e normalizimit të gjithë skenës politike në Kosovës, ku përmes votës qytetare ndërtohen institucione legjitime, serioze dhe stabile.

Në të njëjtën kohë, pensionohen individë, parti apo grupacione të cilat po jetojnë në politikën kosovare fal kalkulimeve politike jo parimore. Ky kalkulim jo parimor vendit tonë i sjell kryeministër jo stabil, ministra të dobët, parti pa përmbajtje, kuvend jo aktiv dhe pushtet jo normal.

Related Posts