Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jordanisë, gjeneralmajori Ahmed Al-Huneyti, deklaroi se ish-Princi i Kurorës, vëllai i Mbretit Abdullah II., Hamza Bin Hussein nuk është arrestuar, transmeton Kosova Post.
Komanda e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të Jordanisë lëshoi një deklaratë me shkrim pas pretendimeve nga gazeta “The Washington Post” me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se së bashku me princin Hamza, djali i Mbretit Hussein nga gruaja e tij e katërt Nur, janë arrestuar 20 vetë.
Në një deklaratë të botuar nga agjencia jordaneze e lajmeve “PETRA”, gjeneralmajori Huneyti tha se pretendimet se Bin Husein ishte arrestuar nuk janë të vërteta, por se atij iu kërkua të ndalonte veprimet dhe aktivitetet që do të çonin në shënjestrimin e sigurisë dhe stabilitetit të vendit.
Huneyti gjithashtu tha se si rezultat i hetimit të kryer nga forcat e sigurisë, ish-Kryetari i Oborrit Mbretëror Basim Ibrahim Avadallah dhe disa njerëz u arrestuan.
Ai tha se hetimi është duke vazhduar dhe se rezultatet do të publikohen, duke shtuar se të gjitha masat e marra janë në përputhje me ligjin.
Princi Hamza bin Hussein dhe 20 të tjerë u arrestuan “me arsyetimin se ata përbëjnë kërcënim për stabilitetin e vendit”, raportoi gazeta amerikane “The Washington Post”.
Thuhet se Princi po mbahej në pallatin e tij në kryeqytetin Aman, me akuzat e “përpjekjes për grusht shtet”, ndërsa anëtarët e shërbimit të sigurimit të vendit ishin midis të arrestuarve.
Princ Bin Hussein ishte Princ i Kurorës mes viteve 1999-2004, por më vonë Princ i Kurorës u bë djali i madh i Mbretit Abdullah, Al-Hussein Bin Abdullah.trt