Ambasadat e Britanisë, SHBA-së dhe Kanadasë kanë dërguar stafin në shtëpi ose në qytetin perëndimor të Lviv, transmeton KosovaPost.
Dhjetëra diplomatë perëndimorë në Kiev po paketonin çantat e tyre dhe po përgatiteshin të largoheshin nga qyteti të dielën në mbrëmje, pasi shumë vende lëshuan një paralajmërim të qartë ‘largohuni nga Ukraina’ për të gjithë qytetarët që gjindeshin ende brenda Ukrainës.
Gjashtë muaj pasi vendimmarrësit perëndimorë u befasuan nga shpejtësia me të cilën Kabuli ra në duart e talebanëve, politikanët në shumë vende po marrin masa paraprake shtesë mbi një sulm të mundshëm rus që ende nuk ka filluar.
Qeveritë e 39 vendeve kanë paralajmëruar kundër udhëtimit në Ukrainë, sipas një faqes ukrainase të lajmeve Novoe Vremya. Shumë shtete kanë paralajmëruar gjithashtu se nëse njerëzit nuk largohen tani, ata mund ta kenë të pamundur të arratisen më vonë, mes thashethemeve se hapësira ajrore e Ukrainës mund të mbyllet në ditët në vijim.
SHBA, e cila ka informuar se një sulm i plotë rus mbi Ukrainën mund të jetë i pashmangshëm, ka thënë se po evakuon të gjithë, përveç një grupi të vogël diplomatësh nga Ukraina, dhe ka përsëritur paralajmërimet për qytetarët amerikanë se ata duhet të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nuk është vetëm koha për t’u larguar nga Kievi, por është koha për t’u larguar nga Ukraina”, tha të shtunën një zyrtar i lartë i administratës amerikane. Britania dhe Gjermania kanë këshilluar gjithashtu qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga vendi.
Një nga hapat më domethënës është vendimi i Britanisë, Kanadasë dhe SHBA-së për të tërhequr stafin e saj nga një mision monitorues në zonën e konfliktit të Ukrainës lindore, i drejtuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në një kohë kur Inteligjenca e perëndimit pretendon se Rusia mund të jetë duke përgatitur një incident të “flamurit të rremë” në rajon.