Kryetari i Komunës së Kaçanikut kishte akuzuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! për mosvotim të një propozimi, që sipas z.Ilazi, i kanë kushtuar Kaçanikut 700 mijë euro humbje investim, shkruan KosovaPost.
Dhe, vjen reagimi i kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kaçanik, Avni Tafili, ndaj kryetarit Besim Ilazi, të cilin reagim e fillon me: “Nuk bëhet mirë ditën e fundit, o z.Besim! Edhe 700 milion euro nuk të bëjnë punë e nuk ju kryejnë punē”.
Reagimi i plotë i kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kaçanik, Avni Tafili, në profilin e tij zyrtar në facebook:
Nuk bëhet mirë ditët e fundit, o z.Besim! Edhe ti nuk beson më që do të bëhet mirë me ju. Ju e dini që koha juaj ka kaluar. Ju e dini sa dëmin ia keni shkaktuar Komunës për 20 vjet. Edhe 700 milion euro nuk të bëjnë punë e nuk ju kryejnë punë, e jo më 700 mijë, që sipas jush, ia paskemi humbur Kaçanikut! Qytetarët si në Podujevë, nuk po hanë kashtë. Asnjëherë s’kanë hangër, po tash po ju tregojnë se NUK HANË!
Kryetari Besimi ka humbur besimin. Po humb edhe mbështetjen e qytetarëve, të cilën e kishte dikur. Ai, bashkë me PDK-në, kanë humbur të drejtën politike, menaxheriale dhe morale të udhëheqin me Komunën e Kaçanikut. Besimi ka filluar të dyshojë. Ai e di që nuk mund t’i bindë më qytetarët se kryetar Ilazi është i mirë sepse është burrë i mirë. Kryetari, po thonë qytetarët, duhet të jetë edhe i drejtë, i vyeshëm dhe guximtar. A është burrë i mirë a i keq, qytetarëve nuk po iu intereson më.
Në qoftëse, sipas kryetarit Ilazi, ne si Lëvizje ia paskemi humbur Kaçanikut 700 mijë euro, ne ia përkujtojmë Besimit, se ai bashkë me shokët e tij, Kaçanikut për 20 vjet ia kanë humbur jo vetëm milionat, po ia kanë marrë edhe 20 vjet jetë qytetarëve të tij, 20 vjet shpresë e ëndrra, 20 vjet rrënim e shkatërrim nervash. 20 vjet kanë betonuar e asfaltuar. Për 20 vjet, edhe rinia e Kaçanikut është plakur e thinjur duke shpresuar në burrat e mirë si Kryetari Ilazi.
Pushteti i politikanëve si i kryetarit Ilazi është më i dëmshëm për qytetarët sesa pushteti i ndonjë politikani si i ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veliu. Ky i fundit ishte arrogant, njihej arroganca e tirania e tij, mirëpo Kryetari Ilazi është i butë, i sjellshëm. Pra, qytetarët e kishin të vështirë të ndërronin mendje. “Besimi bën, po rrethi i tij s’bën”. Kështu udhëhoqi kryetari Ilazi, duke i mbajtur shpresat e qytetarëve të varura, se, një ditë, do të bëhej mirë. Më i dëmshëm sepse luajti personazhin e burrit të mirë. Prandaj dhe (keq)qeverisën kaq gjatë!